
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, e ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur tek gara për Bashkinë e Tiranës, ku opozita ka vendosur të mbështesë kandidatin e pavarur Florjan Binaj përballë kandidates së Partisë Socialiste, Ogerta Manastirliu.
Vokshi deklaroi se mbështetja për Binajn vjen si rezultat i kërkesës së qytetarëve për një figurë përbashkuese dhe të ndershme, e cila mund të përfaqësojë realisht interesat e qytetarëve dhe jo ato të pushtetit.
“Bazohem te sondazhet e fundit dhe ajo që ne si opozitë kemi bërë tregon qartësisht dallimin mes nesh dhe mazhorancës. PS ka një kandidate që ka pasur çështje për tendera, për sterilizimin dhe abuzime të tjera, siç është Ogerta Manastirliu. Ajo është thjesht një gur tjetër në piramidën e pushtetit të Edi Ramës,” tha Vokshi.
Deputetja demokrate theksoi se Edi Rama po tenton të mbajë Bashkinë e Tiranës si “pronë personale”, ndërsa opozita, ndryshe nga pushteti, ka zgjedhur të dëgjojë zërin e qytetarëve.
“Ne i dhamë rëndësi asaj që kërkonin qytetarët. Kishim plot figura politike, por njerëzit donin një njeri të tyre, një figurë që bashkon. Florjan Binaj po bën një fushatë fantastike. Jo vetëm që është i ndershëm, por si arkitekt ka edhe vizionin për t’i dhënë Tiranës pak frymëmarrje,” u shpreh ajo.
Vokshi shtoi se sondazhet tregojnë një garë të ngushtë mes dy kandidatëve, madje në disa matje Binaj rezulton më i favorizuar.
“Sondazhet dëshmojnë që janë aty-aty, në mos Binaj është më mirë,” – përfundoi Vokshi.
and then