Masa kërkon botërorin në tavolinë, reagon FIA: E humbi vetë kampionatin

Këtë javë ka nisur gjyqi i Felipe Masës në Gjykatën e Lartë të Londrës, ku ish-piloti brazilian kërkon t’i njihet titulli i Botërorit të Formulës 1 të vitit 2008, si dhe një dëmshpërblim për humbjet që pretendon se ka pësuar atë sezon. Masa e mbajti fjalën e dhënë dhe paditi FIA-n dhe FOM-in (Formula One Management), strukturën që aktualisht drejtohet nga Stefano Domenikali, pasi të dyja institucionet mohuan se kishin dijeni për aksidentin e Nelson Pike Jr. në Çmimin e Madh të Singaporit, të njohur ndryshe si skandali “Crashgate”.

Të dy entitetet, së bashku me Berni Eklestonin (atëherë president i Formula 1), kërkuan nga gjykata të hedhë poshtë padinë, duke e cilësuar kërkesën e ish-pilotit të Ferrarit të ekzagjeruar. “Padia e z. Masa është po aq e ndërlikuar sa edhe e tepruar në pretendime. Ky miliarder brazilian, qytetar dhe rezident në Angli e Uells, ka paraqitur një kërkesë në këtë juridiksion duke pretenduar shkelje të rregullave ndërkombëtare të FIA-s, lidhur me ngjarje që ndodhën gjatë dhe pas Çmimit të Madh të Singaporit 2008, pra më shumë se 17 vite më parë. Kërkesa e tij injoron një sërë gabimesh që u kryen nga vetë ai ose ekipi i tij, Ferrari, të cilat kontribuuan në faktin që ai përfundoi i dyti në kampionatin e pilotëve”, deklaroi për “RacingNeës365” Xhon Mehrzad KC, avokati i FIA-s.

Baza e padisë mbështetet në deklaratat që Berni Ekleston bëri në vitin 2023, duke lënë të kuptohej se si ai ashtu edhe Maks Moslei (atëherë president i FIA-s) kishin dijeni për manipulimin e garës, por nuk vepruan për të mos njollosur imazhin e garës. Më vonë Ekleston i mohoi këto pohime, duke thënë: “Ishte një intervistë që dhashë në Gjermani. Anglishtja e atij personi nuk ishte e mirë dhe ai po merrte shënime”. Avokatët e tij deklaruan për “Sky Sports”:

“Kjo është një përpjekje e pasuksesshme për të rihapur rezultatet e kampionatit të vitit 2008. Masa e trajton gjykatën si një ‘klub debati’ sportiv, duke kërkuar që të japë një gjykim hipotetik për një ngjarje që ndodhi pothuajse 17 vite më parë”, tha David Quest, teksa më tej shtoi: “Padia do t’ia hiqte Hamiltonit titullin e 2008-s, megjithëse edhe ai vetë ishte i ekspozuar ndaj pasojave të aksidentit”. Në të njëjtën linjë, Anneliese Day KC, përfaqësuese e FOM-it, shtoi: “Nuk ishte dalja e makinës së sigurisë që i ndryshoi fatin Masës, por një sërë gabimesh gjatë garës nga ai dhe ekipi i tij në 47 xhirot e mbetura. Hamilton e kaloi Masën si në garën e Singaporit, ashtu edhe në të gjithë sezonin 2008”.

MBROJTJA E FUNDIT- Nga ana tjetër, Nik di Marko, avokati i Masës, theksoi se dokumentet e paraqitura nga pala kundërshtare “nuk arrijnë të tregojnë se pretendimet e ish-pilotit brazilian nuk kanë perspektivë reale suksesi”. “Massa ka mundësi reale suksesi në të gjitha aspektet e çështjes”, përfundoi avokati i Masës.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×