Elbasani kërkon “tris” fitoresh në Vlorë, Gvozdenoviç paralajmëron ekipin

Pas luhatjeve në disa ndeshje, Elbasani duket se ka gjetur më në fund ritmin e duhur. Dy fitore radhazi kanë rikthyer buzëqeshjen dhe besimin në kampin verdheblu, por tekniku Ivan Gvozdenoviç nuk dëshiron të ndalet këtu.

Skuadra do të luajë në Vlorë përballë një rivali me histori e traditë si Flamurtari, me synimin e qartë për të bërë “tris”-in e fitoreve, një objektiv që nuk është arritur ende këtë edicion. Një sukses në Vlorë do të kishte vlerë të dyfishtë: përveçse do të forconte pozitën në renditje, do të shërbente edhe si një sinjal i fortë se Elbasani po konsolidohet si skuadër konkurruese.

FRYMËMARRJE PAS KRIZËS Elbasani ka kaluar periudha të vështira në këtë kampionat, por dy fitoret e fundit duket se e kanë kthyer qetësinë dhe frymën e grupit. Fitorja me Bylisin dhe më pas ajo me Tiranën kanë qenë si oksigjen për skuadrën, që tashmë e sheh veten në ngjitje të ndjeshme. Puna e Gvozdenoviçit fillon të japë fryte: skuadra po luan me më shumë bindje, me një strukturë më të qartë dhe me ndërveprim më të mirë mes repartesh. Fryma e garës është rikthyer, lojtarët ndihen më të lirshëm dhe besojnë më shumë në idetë e trajnerit. Megjithatë, tekniku serb ka kërkuar përqendrim maksimal dhe shmangie të çdo lloj vetëkënaqësie, pasi ndeshja në Vlorë është një test i vërtetë force.

ALTERNATIVA ME BOLLËK Për herë të parë në këtë kampionat, Elbasani pritet të udhëtojë drejt Vlorës me grupin e plotë në dispozicion, me dyshimin e vetëm të mbrojtësit Emir Azemoviç që ëpsoi një dëmtim ndaj Bylisit. Nuk raportohen dëmtime të tjera, ndërsa dy rikthime të rëndësishme pritet të forcojnë ndjeshëm formacionin: Fatjon Bunjaku dhe Abas Ibrahim. Të dy munguan për shkak kartonësh në ndeshjen me Tiranën, por tani janë gati për të dhënë kontributin e tyre. Prania e tyre i jep Gvozdenoviçit luksin e zgjedhjes dhe mundësinë për të ndryshuar skemën në varësi të zhvillimit të lojës. Kjo përbën një avantazh të madh, sidomos në një transfertë ku pritet një duel i fortë fizik dhe taktik.

MERAKU I VETËM Në analizën e brendshme të skuadrës, Gvozdenoviç është ndalur gjatë te faza mbrojtëse. Nga gjashtë golat e pësuar gjithsej, katër kanë ardhur në tri ndeshjet e fundit dhe kjo prirje nuk e ka lënë të qetë trajnerin. Më herët, mbrojtja ka qenë pika më e fortë e ekipit, ndërsa tani është kthyer në një problem, për aq kohë sa pësojnë rregullisht. Këtë gjë, serbi kërkon ta rregullojë me çdo kusht dhe ta evitojë golin sa të mundet në Vlorë ditën e nesërme. Stërvitjet e fundit janë fokusuar kryesisht te organizimi i linjës së pasme, ku janë testuar skema të ndryshme për të rritur qëndrueshmërinë dhe për të shmangur gabimet individuale. Trajneri kërkon që porta të mbetet e paprekur, një objektiv që nuk është vetëm statistikor, por edhe psikologjik, pasi do të dëshmonte maturinë e skuadrës dhe do të rrite besimin në të gjithë repartet.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×