
Prej orës 08:30, kanë nisur homazhet në nderim të ish-kryeministrit Fatos Nano i cili vdiq më 31 tetor, pas disa javësh i shtruar në gjendje të rëndë në spital.
Në hollin e Pallatit të Kongreseve, familjarët e ngushtë të liderit historik të së majtës, kanë pritur ngushëllimet e dhjetëra qytetarëve të ardhur dhe nga rrethet e vendit.

Kurora me lule e buqeta janë vendosur në arkëmortin e ish-kryeministrit, ndërsa sic shihet në foto, në rreshtin e parë të pritjes së ngushëllimeve janë vendosur sipas radhës, bashkëshortja e ish-kryeministrit, Xhoana Nano, dy fëmijët e tij nga martesa me gruan e parë Rexhina Nano, djali i Xhoanës dhe ish-bashkëshortja Rexhina. Më pas shihen bashkëpunëtorë të ngushtë të tij.
Figura politike të njohura në vend, si Fatmir Mediu, Agron Duka dhe emra të tjerë janë ndër të parët që kanë mbërritur në ceremoninë e homazheve për nder të ish-kryeministrit Fatos Nano.
Trupi diplomatik shqiptar dhe personalitete të politikës, do të nderojnë figurën e Nanos në pjesën e dytë të ceremonisë.
Në përfundim të ceremonisë shtetërore do të jetë kryeministri Edi Rama, gjithashtu pasues i Fatos Nanos në drejtimin e Partisë Socialiste, që do të mbajë një fjalë e më pas dhe vetë bashkëshortja e Nanos, Xhoana, apo dhe djali Sokoli. Fatos Nano do të përcillet për në banesën e fundit pas një ceremonie private familjare.
Fatos Nano ndërroi jetë mesditën e djeshme në moshën 73-vjeçare. Prej kohësh ai vuante nga probleme kronike respiratore ndërsa gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar ndjeshëm.
Tri herë kryeministër i Shqipërisë, Fatos Nano do të mbahet mend si një prej figurave më të rëndësishme të tranzicionit, si njeriu që reformoi Partinë Socialiste dhe një lider me vizion për të ardhmen e Shqipërisë.
and then