Pragndeshja e debutimit për Nuhiun, trajneri i Tiranës: Ndërtoj skuadër me mentalitet fitues

Nuhiu do debutojë në stolin e Tiranës, në përballjen ndaj Bylis. Para këtij takimi, tekniku Nuhiu, doli në konferencë.

Vetëm 3 ditë stërvitje- “Dua të falenderoj presidentin dhe drejtuesit për besimin e dhënë. Jam i vetdijshëm për ecurinë e skuadrën, e kam marrë me shumë përgjegjësi. Skuadra gjithandej ka shumë tifozë dhe jam i motivuar jashtëzakonisht shumë, që ta udhëheq këtë skuadrën dhe ta rikthej drejt fitoreve sepse mendoj që meriton kjo skuadër. Janë pak ditë realisht, pa kërkuar justifikime, jemi munduar të analizojmë skuadrën e Ballshit. Është skuadër që lufton shumë, por gjithashtu del shumë shpejt në tranzicion apo kundërsulm. Jemi munduar të përcjellim sa më shumë informacione te grupi dhe gjithashtu të japim një plan, për të shkuar drejt portës së kundërshtarit, që të fitojmë takimin.

Sa të vështirë e keni pasur që nuk e njihni skuadrën? E njoh shumë mirë skuadrën sepse kam përcjellur kampionatin shqiptar. Kam analizuar skuadrën dhe kualitetin e grupit. Jo rastësisht e kam marrë skuadrën, kam besuar fort te çunat. Mendoj që klasifikimi nuk përcakton kualitetin që kanë ata. Gjëja e parë që më intereson te grupi, të kthejmë besimin dhe shpirtin e fitoreve te kjo skuadër.

Cili është objektivi? Objektivi në radhë të parë është të kthej besimin te grupi, të stabilizoj skuadrën dhe të fus atë mënyrën apo filozofinë si dua të luaj unë me këtë skuadër. Kam besim të plotë te kualiteti i grupit. Nuk e them që do të jetë e lehtë sepse futbolli vërtetë do kohë, por do mundohemi unë bashkë me stafin tim në mënyra të ndryshme, sa më të shpejta, që të fusim filozofinë si dua të luaj unë.

Si është gjendja e skuadrës? Në fakt në këto tre ditë jemi munduar të punojmë në aspektin psikologjik më tepër, që t’i kthejmë ata të besojnë. Besoj fuqishëm se ata nesër do bëjnë paraqitje shumë të mirë, me shumë përkushtim dhe ta fitojmë takimin, që dalëngadalë të nisemi drejt qëllimit apo objektivit tonë.

Çfarë keni ndryshe nga dy trajnerët e mëparshëm? Dua të falenderoj dy trajnerët sepse skuadra sipas statistikave apo “GPS” e pashë që skuadra është e përgatitur mirë. Kjo më bën të besoj edhe më shumë, që janë të gatshëm në aspektin fizik të luftojnë. Thjesht do mundohemi që të fus filozofinë time, me grupin që kemi, apo duke u munduar që secilit futbollist t’i marrim më të mirën, t’i shërbejë skuadrës që ta kthejmë dalëngadalë aty ku duan ta shikojnë tifozët tonë. Kam besim të plotë që do ta arrijmë.

Pika më e fortë dhe më e dobët? Do shikoj nga ai momenti që mora skuadrën. Nga ndeshja e nesërme do analizoj çdo grup. Padiskutim që aty ku kam menduar që ka çaluar skuadra, jam munduar që këto 2-3 ditë të përmirësojmë gjërat. Nuk kam shkopin magjik që të përmirësoj për 2-3 ditë, por besoj në vazhdimësi, me shumë profesionalizëm dhe displinë e passion, do e bëj këtë punë për ta çuar skuadrën aty ku mendoj se e meriton.

Debutimi me Bylisin? Futbolli nuk njeh kundërshtar të dobët, ne duhet të bëjmë maksimumin në ndeshjen e nesërme. Shumë përkushtim nga secili futbollist, maksimumi nga të gjithë. Duhet ta duam të gjithë fitoren, dhe nëse arrijmë ta duam dhe ta luftojmë, ta besojmë fuqishëm të gjithë, atëherë besoj që do ta arrijmë.

Keni marrë një premtim? Padiskutim që trajnerin e mban rezultati, besoj fuqishëm që ta arrijmë. Nuk e mendoj në asnjë moment dështimin, mendoj gjëra pozitive dhe besoj fuqishëm që do e arrijmë.

Keni mesazh për tifozët? Patjetër, unë dua që ata të vijnë të na mbështesin. Nuk kanë munguar në asnjë stadium sepse i kam ndjekur. Në këtë moment ata i duhen shumë skuadrës, futbollistëve. Ejani na mbështesni sepse besoj që kjo skuadër do i bëjë krenarë, siç ata e meritojnë”, u shpreh Nuhiu.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×