Rikthehet regjimi i lëvizjes së automjeteve pa kontrolle mes Shqipërisë dhe Kosovës, ja deri kur zgjat

Në pikat kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës është rikthyer regjimi i lëvizjes pa kontrolle për mjetet me targa shqiptare dhe kosovare. Ky regjim ka hyrë në fuqi më 1 nëntor dhe do të mbetet në zbatim deri në fund të muajit shkurt të vitit të ardhshëm.

Gjatë kësaj periudhe, kontrollet kufitare do të aplikohen vetëm për mjetet me targa të huaja, por me një procedurë të përshpejtuar, për të shmangur radhet dhe pritjet e gjata në pikat e përbashkëta, veçanërisht në Morinë dhe Vermicë.

Regjimi pa kontrolle u rikthye pas një pezullimi njëmujor gjatë tetorit, periudhë gjatë së cilës u krye regjistrimi dhe kontrolli i mjeteve e udhëtarëve. Edhe në atë periudhë, në fundjavë dhe gjatë festave zyrtare, nuk janë aplikuar kontrolle për qytetarët dhe automjetet me targa të Shqipërisë dhe Kosovës.

Marrëveshja për lëvizje të lirë mes dy shteteve synon të lehtësojë qarkullimin dhe të shmangë trafikun e rënduar në kufi. Ajo ka dhënë rezultate të dukshme, sidomos gjatë sezonit veror, kur fluksi i udhëtimeve rritet ndjeshëm.

Sipas marrëveshjes, periudhat e lëvizjes pa kontrolle ose me kontrolle të reduktuara janë.Nga 1 maj deri më 30 shtator, dhe nga 1 nëntor deri më 28 shkurt.

Në total, qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës përfitojnë nga 9 muaj në vit me regjim të lehtësuar kalimi kufitar, ndërsa për 3 muajt e mbetur (mars, prill dhe tetor) zbatohen kontrolle të rregullta me përjashtim të fundjavave dhe festave zyrtare të të dy vendeve.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×