
Një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të PD, kanë kërkuar thirrjen në interprelacë urgjente të Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, pas marrjes së saj si të pandehur nga SPAK për abuzimet me tenderin e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë. Ky tender rezultojë të ishte i paracaktuar dhe me një faturë të fryrë financiare prej 50 milion euro më shumë.
Në datën 31 Tetor 2025, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka njoftuar marrjen të pandehur të Zëvëndëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.
Nga hetimet e kryera në kuadër të procedimit penal nr. 136, të vitit 2025 (bashkuar me procedimet penale nr. 167 dhe 181 të vitit 2024), ka rezultuar se në procedurën e prokurimit publik “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, në seksionin rrugor Orikum – Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë – Sarandë) zhvilluar në datën 11.12.2020 dhe pas anulimit të saj, është rihapur procedura në datën 22.06.2021, me fond limit rreth 190 milionë euro, janë kryer shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, me qëllim favorizimin e operatorit ekonomik fitues të kësaj procedure.


Sipas dokumentacionit zyrtar dhe burimeve të hapura të informacionit rezulton se fillimisht për këtë procedurë prokurimi publik ishte shpallur fitues operatori ekonomik “Gjoka Konstruksion”, me ofertë 140 milionë euro. Por, pas anullimit të kësaj procedure, është shpallur fitues bashkimi i operatorëve ekonomik “INTEKAR – ASL”, me ofertë 190 milionë euro. Megjithatë, punimet janë kryer sërish me nënkontraktim nga shoqëria “Gjoka Konstruksion”, duke i sjellë Buxhetit të Shtetit një dëm të pajustifikuar prej 50 milionë euro.
“Në këto kushte, me qëllim dhënien e shpjegimeve dhe informacioneve lidhur me sa më lart, në mbështetje të nenit 80, pika 1, të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenit 97, pika 1, të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë thirrjen e një interpelance urgjente me Zëvëndëskryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku” – thuhet në kërkesën e depozituar nga deputetët e PD.
and then