
Eksperti ligjor Rezart Kthupi, i ftuar në emisionin “Log.” në News24, ka komentuar reagimin e kryeministrit Edi Rama pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila hodhi poshtë procedurën e shkarkimit të Erion Veliajt nga detyra si kryebashkiak i Tiranës.
Kthupi u shpreh se, ndryshe nga ajo që përpiqet të paraqesë kryeministri, Rama nuk është një strateg politik që parashikon lëvizjet shumë hapa përpara, por vepron në moment sipas interesit të tij politik, duke ushtruar ndikim mbi institucionet.
“Rama bën sikur është shahist i madh me 10 lëvizje para. Ai luan me atë që i vjen në dorë. Ai ka trysnuar Gjykatën Kushtetuese,” deklaroi Kthupi.
Sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e ndikon drejtpërdrejt procesin penal ndaj Veliajt, pasi masa e sigurisë është përcaktuar dhe mbajtur në fuqi nga tre shkallë gjykatash.
“Gjëja më normale është që avokatët e Veliajt të çojnë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Gjykatës së Lartë për masën e sigurimit dhe raportin proporcional që kjo masë ka me detyrën e tij si kryebashkiak,” tha Kthupi.
Ai shtoi se, sipas ligjit, nuk mund të jepen masa sigurie më të rënda se natyra e veprës penale, ndërsa për zyrtarët e zgjedhur vendorë ligji nuk parashikon pezullimin nga detyra si masë sigurie, por vetëm masa të tjera plotësuese.
“Parashikohet që nuk mund të marrësh dënim më të rëndë se vepra që ke kryer. Korpusi ligjor ka masa standarde sigurimi dhe plotësuese. Ajo që merret rëndom është pezullimi nga funksioni publik, por për shkak të ligjit, kjo masë nuk aplikohet ndaj të zgjedhurve vendorë,” shpjegoi ai.
Kthupi theksoi se, në këtë rast, nuk ka vend për diskutim mbi parimin e proporcionalitetit, pasi masa ndaj Veliajt është shqyrtuar dhe konfirmuar nga të gjitha shkallët e gjykatës.
“Ligji ka bllokuar pezullimin nga detyra, por ka lejuar masat e tjera. Kjo do të thotë se s’mund të ketë diskutim për proporcionalitetin. Masa ndaj Veliajt është mbajtur në fuqi nga tre shkallë gjykatash,” përfundoi eksperti ligjor.
and then