Detajet/ Tritoli në auto-sallonin e makinave me qira në Kuçovë, dyshohet për shpërthim me telekomandë

Një shpërthim me lëndë plasëse tritol ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në një auto-sallon makinash me qira në qytetin e Kuçovës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:45, në lagjen “Postobllok”, Njësia Administrative Perondi. Sipas policisë, dyshohet se shpërthimi është kryer me telekomandë, ndërsa sasia e tritolit mendohet të ketë qenë 1 deri në 2 kallëpe. Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar, por janë shkaktuar vetëm dëme materiale në dyer, dritare dhe xhama të objektit.

Biznesi është në pronësi të shtetasit Gëzim Skënderaj, i cili, sipas burimeve policore, nuk figuron me precedentë penalë. Një nga vëllezërit e tij, Bledi Skënderaj, punon si polic bashkiak në Bashkinë e Kuçovës, por policia përjashton mundësinë që ngjarja të ketë lidhje me detyrën e tij. Nga kamerat e sigurisë pranë biznesit, policia ka konstatuar se një person me kapuç është futur brenda ambientit duke vendosur lëndën plasëse në tokë, e më pas është larguar. Disa minuta më vonë është regjistruar shpërthimi, i cili sipas hetimeve paraprake është aktivizuar me telekomandë.

Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie nga Drejtoria Vendore e Policisë Berat dhe Njësia Anti-Tritol e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Hetimet po zhvillohen në disa pista, të cilat nuk bëhen ende publike për shkak të vijimit të hetimeve, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorëve. Sipas të dhënave, Gëzim Skënderaj ka katër vëllezër. Ai dhe Tani Skënderaj kanë jetuar për shumë vite në Itali, ndërsa kohët e fundit janë kthyer në Kuçovë, ku kanë investuar në biznese dhe banesa. Bledi Skënderaj është polic bashkiak, ndërsa Zamir Skënderaj ka qenë i dënuar në Gjermani dhe aktualisht vuan dënimin në Shqipëri për trafikim të lëndëve narkotike. Një tjetër vëlla, Avdyl Skënderaj, është vrarë në vitin 1997.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×