
Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në emisionin “Log.” në News24, ka komentuar zhvillimet më të fundit politike dhe reagimin e opozitës ndaj hetimit të SPAK për zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Sipas Lubonjës, Partia Demokratike duhej të kërkonte dorëheqjen e Ballukut, ashtu siç kishte vepruar më parë me figura të tjera të mazhorancës, por kjo nuk po ndodh për shkak të interesave të ndërsjella që lidhen me strukturën oligarkike të ngritur prej vitesh nga të dy krahët politikë.
“Duhej të kërkohej dorëheqja e Ballukut, sepse edhe kur protestuan për Veliajn, kërkohej dorëheqja e Ramës. Tani që çështja është te Balluku, Berisha ka thënë jo. Intuita ime më thotë se padyshim sistemin e kanë ngritur bashkë oligarkia që bashkëpunonte me të dyja partitë, që secila kishte oligarkët e vet,” deklaroi Lubonja.
Ai shtoi se mund të ketë ndërveprime të fshehta mes interesave ekonomike të afërta me Berishën dhe lidhjeve të tyre me Ballukun, që mund të kenë ndikuar në vendimin e opozitës për të mos reaguar ashpër ndaj saj.
“Ndoshta një nga oligarkët e Berishës, që i ka bërë ndere por ka marrë ndere nga Balluku, për hir të atyre ndereve i ka thënë: ‘Mos i bini shumë në qafë kësaj’. Kjo provon tezën se partitë e kanë ndërtuar sistemin oligarkik bashkë,” theksoi analisti.
Lubonja argumentoi se sistemi politik në Shqipëri ka pësuar një mutacion të thellë nën drejtimin e Edi Ramës, pasi sipas tij, ndryshe nga më parë, tashmë mungon rotacioni politik, që ishte një element i brendshëm i ekuilibrit të këtij sistemi.
“Ky sistem ka pësuar një mutacion me Ramën, sepse më parë nënkuptonte rotacion politik. Mutacioni që ka ndodhur është se tani nuk ka më rotacion,” përfundoi Lubonja.
and then