
Projektbuxheti i vitit 2026 është planifikuar në vlerën 886.8 miliardë lekë, që përfaqëson 31.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe është rreth 55 miliardë lekë më i lartë se buxheti i rishikuar i vitit 2025.
Dokumenti financiar u miratua nga Këshilli i Ministrave një ditë më parë dhe tashmë ka mbërritur në Kuvend, ku do të nisë procesi i shqyrtimit në parim dhe nen për nen, që pritet të përfundojë në fillim të dhjetorit.
Sipas qeverisë, të ardhurat buxhetore për vitin 2026 parashikohen të arrijnë në 823.1 miliardë lekë ose 29.6% të PBB-së, me një rritje prej 52.9 miliardë lekësh në krahasim me një vit më parë. Rritja bazohet në përmirësimin e administrimit fiskal dhe uljen e informalitetit në ekonomi.
Rritja ekonomike pritet të ruajë trendin pozitiv me një mesatare prej 4% në vit gjatë periudhës 2026–2028, e mbështetur nga kërkesa e brendshme dhe zhvillimi i sektorëve strategjikë.
Deficiti buxhetor për vitin 2026 është planifikuar në 2.3% të PBB-së, ndërsa balanca primare pritet të jetë e balancuar, në përputhje me rregullat fiskale në fuqi.
Borxhi publik bruto do të vijojë të ulet, duke zbritur në 53.6% të PBB-së në vitin 2026 dhe në 51% deri në vitin 2028.
Projektbuxheti parashikon fonde për rritjen e pensionit minimal në 200 euro dhe të pensionit mesatar në 400 euro në muaj.
Do të financohet gjithashtu rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë, si dhe indeksimi i pagave të administratës publike me 2.5%, që do të hyjë në fuqi më 1 janar 2026.
Për vitin 2028, paga minimale pritet të arrijë në 60 mijë lekë, e shoqëruar me indeksim sipas inflacionit.
Qeveria planifikon të mbajë një nivel të lartë investimesh publike, me një mesatare prej 6.5% të PBB-së gjatë periudhës 2026–2028. Investimet do të përqendrohen në projekte strategjike të lidhura me Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2021–2030.
Në kuadër të buxhetimit gjinor, rreth 9.5% e shpenzimeve buxhetore do t’i dedikohen politikave me bazë gjinore, të përfshira në 85 programe buxhetore.
Buxhetet vendore për vitin 2026 janë parashikuar në 97.7 miliardë lekë, me një rritje prej 9% krahasuar me vitin 2025, duke përfaqësuar 3.52% të PBB-së.
Transferta e pakushtëzuar për pushtetin vendor do të jetë 1.6 miliardë lekë më e lartë se një vit më parë dhe më shumë se dyfishi krahasuar me nivelin e vitit 2015.
and then