Trajneri Silvinjo viziton “Elite Youth Development Academy” dhe ndan përvojën e tij me të rinjtë

Trajneri i Kombëtares shqiptarë, Silvinjo, zhvilloi një takim të veçantë me futbollistët e Elite Youth Development Academy, ku ndau rrugëtimin e tij si futbollist dhe si trajner.

Ai u ndal te fillimet e tij si futbollist, momentet e rëndësishme me klubet që ka luajtur, vështirësitë e hasura, si dhe eksperiencën e drejtimit të Kombëtares këto tre vite.

“Në futboll kam bërë një rrugëtim të gjatë, me trajnerë të ndryshëm, nga të cilët kam mësuar shumë. Për mua pjesa më e vështirë si futbollist ishte menaxhimi i momenteve kur nuk luaja mirë ose jo dhe kur nuk luaja fare. Nuk është e lehtë, sepse ndjen një frustrim të brendshëm, por e rëndësishme është të mos e transferosh te shokët e skuadrës, trajneri apo pjesëtarët e tjerë të stafit”, – u shpreh trajneri Silvinjo.

“Kam qenë futbollist i mirë që i vogël, luaja me këmbën e majtë dhe në përgjithësi të gjithë lojtarët që luajnë me këmbën e majtë janë shumë të mirë. Rreth moshës 15-16 vjeç jam gjendur për herë të parë në një situatë ku nuk po luaja. Ky ishte moment që të bën të mendosh se si mund të ecësh para. Në darkë qaja 5 minuta para se të flija, nuk më dëgjonte njeri, por të nesërmen në orën 7 të mëngjesit isha gati”, – theksoi trajneri i Kombëtares.

Në fund, trajneri Silvinjo dha disa këshilla për kuqezinjtë e vegjël, ku theksoi rëndësinë e qëndrueshmërisë në stërvitje dhe frymës së grupit në skuadër.

“Besoni te vetja juaj, nëse duhet të qani, qani, nëse duhet të qeshni, qeshni, bëni më të mirën e mundshme. Ti nuk luan mirë të dielën sepse je stërvitur mirë të shtunën. Ti luan mirë të dielën, sepse je stërvitur 100 ditë njësoj. Ka ditë ku gjërat nuk shkojnë mirë, është diçka njerëzore, por duhet të përgatitesh për ditën tjetër, pa u ankuar kurrë.
Qëndroni afër me njëri tjetrin, sepse në fushë njëri vrapon për tjetrin me më shumë kënaqësi. Këtë kërkojmë nga ekipi ne si staf”, – tha ndër të tjera Silvinjo në takimin me djemtë e “Elite Youth”.

Në javët në vijim, djemtë e Elite Youth Academy do të kenë aktivitete të tjera të kësaj natyre, në përputhje me qëllimin e edukimit të tyre përtej futbollit.

 



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×