Banka e Shqipërisë mban të pandryshuar normat e interesit, Sejko: Ekonomia po rritet me ritme të qëndrueshme, inflacioni nën objektiv

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot të mbajë të pandryshuara normat bazë të interesit, duke vlerësuar se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe nxitjen e rritjes ekonomike.

Në konferencën për shtyp, Guvernatori Gent Sejko njoftoi se norma bazë e interesit mbetet në nivelin 2.5%, norma e depozitës njëditore në 1.5%, dhe ajo e kredisë njëditore në 3.5%.

“Ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet, ndërsa parametrat kryesorë të stabilitetit ekonomik, monetar dhe financiar mbeten të konsoliduar,” deklaroi Sejko. Ai theksoi se inflacioni ka shënuar një rritje të lehtë gjatë tremujorit të tretë, duke arritur mesatarisht 2.4%, por vijon të mbetet poshtë objektivit prej 3%.

Sipas guvernatorit, rritja e inflacionit është ndikuar nga çmimet e qirave dhe shërbimeve, ndërsa çmimet e ushqimeve kanë shënuar rënie. “Presionet e brendshme inflacioniste mbeten në linjë me objektivin tonë, falë ecurisë së qëndrueshme të kostove të punës dhe produktivitetit,” shtoi Sejko.

Në fjalën e tij, ai nënvizoi se rritja ekonomike është mbështetur nga konsumi familjar, investimet private dhe zgjerimi i turizmit, ndërsa sektorët e shërbimeve dhe ndërtimit kanë qenë më dinamikë. Të dhënat e INSTAT tregojnë se ekonomia u rrit me 3.6% gjatë gjysmës së parë të vitit.

Tregu i punës, sipas Bankës së Shqipërisë, vijon të jetë i fortë: punësimi në sektorin privat jobujqësor u rrit me 3.4%, paga mesatare me 9.5%, dhe papunësia qëndron në nivelin historikisht të ulët prej 8.5%.

“Politika monetare e kujdesshme ka ndihmuar në uljen e primeve të rrezikut dhe në përmirësimin e kushteve të financimit. Lehtësimi i politikës monetare në korrik ka sjellë ulje të mëtejshme të normave të interesit për kreditë e reja dhe ka reduktuar kostot e shërbimit të kredive ekzistuese,” u shpreh guvernatori.

Kredia për sektorin privat u rrit me 14% gjatë tremujorit të tretë, me performancë më të fortë në kreditimin në lekë dhe për investime të bizneseve. Cilësia e portofolit të kredisë, sipas Sejkos, mbetet e kënaqshme.

Në lidhje me perspektivën, Banka e Shqipërisë parashikon që inflacioni të kthehet në objektivin prej 3% gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, ndërsa rritja ekonomike pritet të mbetet solide në horizontin afatmesëm.

Megjithatë, Sejko paralajmëroi se “panorama e rreziqeve mbetet komplekse,” duke përmendur tensionet tregtare e gjeopolitike si faktorë të mundshëm pasigurie, ndërsa rritja e shpejtë e pagave mund të ushtrojë presione shtesë mbi inflacionin.

“Vendimet tona të ardhshme do të kushtëzohen nga ecuria e pritjeve inflacioniste dhe zhvillimet e brendshme e ndërkombëtare,” theksoi guvernatori, duke shtuar se Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar për të ruajtur stabilitetin e çmimeve dhe për të mbështetur rritjen e qëndrueshme ekonomike.

Në përfundim, Sejko theksoi se qëndrimi aktual i politikës monetare “ofron një balancë të drejtë midis nxitjes së aktivitetit ekonomik në afatin e shkurtër dhe ruajtjes së stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm”.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×