
16 ndeshje, 16 fitore, Bayern i këtij sezoni nuk di të ndalet, nuk njeh rivalë, duke vijuar ecurinë rekord, si asnjë ekip tjetër më parë në histori. Ekipi i Kompany “thyen” edhe PSG, me kampionët që bien në “Parkun e Princave”. Protagonisti absolut ishte Luis Diaz, me sulmuesin kolumbian që realizoi një “dopietë” golash, por njëkohësisht u ndëshkua edhe me karton të kuq.
Sfida nisi me gol, ku pas vetëm 4 minutash, Diaz tundi rrjetën e PSG. Të besuarit e Luis Enriques iu përgjigjen shpejt, ku në minutën e 22-të, Dembele barazoi shifrat në 1-1, por me ndihmën e sistemit VAR, gjyqtari i takimit anuloi gjithçka për pozicion jashtë loje. 3 minuta më pas, “Topi i Artë” në fuqi la fushës i dëmtuar. Luis Diaz ishte i papërmbajtshëm në këtë transfertë, ku në minutën e 32-të, këmbënguli deri në fund, i vodhi një top Marquinhos duke dyfishuar shifrat. Nga “engjëll në djall”, Luis Diaz mbylli mbrëmjen e tij të “çmendur” në fundin e pjesës së parë duke ndërhyrë në mënyrë të rendë ndaj Hakimit, me anësorin maroken që doli nga fusha mes lotësh. Pas rishikimit në VAR, gjyqtari i takimit ndëshkoi drejtpërdrejt me karton të kuq sulmuesin kolumbian.
Në fraksionin e dytë, fal dhe epërsisë numerike, PSG mori kontrollin e plotë të lojës. Në minutën e 74-ët, Joao Neves me një gol shumë të bukur ngushtoi shifrat në 1-2. Bayern mbrojtësi me fanatizëm pjesën e mbetur të këtij takimi duke ruajtur kreun e Champions League me 12 pikë të plota pas 4 ndeshjeve.
Vincent Kompany, trajneri i Bayern Munich, feston pas këtij suksesi: “Jemi të vetëdijshëm se asgjë nuk është vendosur, por ndaj PSG ishin 3 pikë shumë të rëndësishme për ne, le t’i shijojmë”, u shpreh Kompany. Pranon epërsinë e Bayern trajneri i PSG, Luis Enrique: “Bayern ishte më mirë në pjesën e parë, ishin më prezent në fushë dhe krijuan më shumë raste, ne i bëmë edhe disa dhurata. Më duhet ta pranoj, kundërshtari ishte më mirë se ne”, u shpreh Luis Enrique.
()
and then