
Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit në Tiranë, Alaudin Malaj, i ftuar në studion e emisionit “Log” në News24, ka komentuar zhvillimet lidhur me hetimet e SPAK ndaj zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila akuzohet për një tender me vlerë 50 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.
Malaj deklaroi se, bazuar në komunikimet që kanë dalë nga përgjimet midis Ballukut dhe ish-kreut të ARRSH-së, Evis Berberi, duhet të ishte komunikuar edhe akuza për ndikim të paligjshëm, pasi elementët e bisedave tregojnë për ndërhyrje direkte në proceset tenderuese.
“Ballukut duhet t’i komunikohej edhe akuza për ndikim të paligjshëm nga komunikimet që kanë dalë me Evis Berberin,” u shpreh Malaj.
Sipas tij, hetimet e SPAK janë në fazë dinamike dhe mund të zgjerohen më tej, duke përfshirë edhe akuza të reja për persona të tjerë të përfshirë në këtë aferë.
“Që të cilësohet si grup i strukturuar kriminal, duhet të lidhen provat dhe faktet që kanë vepruar si grup. Nëse do hapet një telefon tjetër, nëse një dëshmitar jep një deklarim tjetër dhe tregon të vërtetën, është e sigurt që prokurori do u komunikojë akuzë tjetër këtyre,” theksoi Malaj.
Ish-gjyqtari shtoi se procesi hetimor pritet të thellohet, ndërsa akuzat ndaj Ballukut dhe bashkëpunëtorëve të saj mund të shtohen në vijim, në varësi të provave të reja që mund të dalin.
“Akuzat do vijnë njëra pas tjetrës,” paralajmëroi Malaj.
and then