
Policia e Kuçovës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Kompleks”, duke sekuestruar armë zjarri, municion luftarak dhe lëndë narkotike të llojit kanabis. Si rezultat i operacionit, janë arrestuar dy shtetas të dyshuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.
Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Kuçovë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Berat.
Në pranga ranë:
K. K., 41 vjeç, banues në fshatin Drenovicë, Dimal, i cili kishte përshtatur lokalin e tij për shpërndarje dhe përdorim të lëndëve narkotike, si dhe mbante armë zjarri automatik.
K. Z., 27 vjeç, banues në fshatin Tapi, Kuçovë, i cili ndodhej nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”, por vazhdonte të mbante në banesë lëndë narkotike.
Gjatë kontrolleve në lokalin e 41-vjeçarit, policia gjeti dhe sekuestroi:
1 armë zjarri automatik,
30 fishekë luftarak,
një sasi lënde narkotike të llojit kanabis,
1 peshore elektronike që shërbente për ndarjen e dozave.
Ndërsa në banesën e 27-vjeçarit u gjet dhe një sasi tjetër kanabisi, e gatshme për shitje.
Operacioni “Kompleks” u zhvillua në kuadër të kontrolleve të zgjeruara për identifikimin e autorëve të vendosjes së lëndës plasëse në një biznes një ditë më parë, si dhe për goditjen e veprimtarive kriminale në fushat e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.
Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat për veprime të mëtejshme hetimore.
and then