Dosjet tronditëse të Ballukut/ Mesazhe, ndërhyrje dhe prova flagrante, testi më i madh për besueshmërinë e SPAK

Pasi doli nga SPAK, ku u njoh me akuzat dhe me faktin që tashmë është e pandehur e drejtësisë, Belinda Balluku shkoi sërish në zyrën e saj në qeveri.

Po mbushet një javë që zëvendëskryeministrja e vendit është marrë e pandehur nga SPAK, megjithatë vijon të jetë e lirë dhe në detyrë, si të mos kishte ndodhur asgjë, edhe pse akuzat ndaj saj janë të rënda dhe provat flasin shumë.

Dosjet në ngarkim të Belinda Ballukut dhe të vartësve, të siguruara orët e fundit nga gazetarët janë tronditëse. Mesazhe dhe urdhra të shkruara prej vetë Ballukut tregojnë qartë ndërhyrje në proceset tenderuese, ndikime dhe shkelje flagrante të ligjit.
Këto nuk janë më dyshime apo interpretime, por prova të forta dhe të pakundërshtueshme, me protagoniste vetë zëvendëskryeministren.

Ndryshe nga Ilir Meta dhe Erion Veliaj, dy figura të tjera të rëndësishme të politikës, tashmë në burg, për të cilët s’kemi parë fakte të tilla në një vend ku asgjë s’mbetet sekret, për Ballukun gjithçka është e zeza mbi të bardhë.
Ndërsa Meta dhe Veliaj u arrestuan pa u bërë ende të pandehur, me arsyetimin se rrezikonin të manipulojnë provat, nuk kuptohet pse SPAK nuk sheh te Balluku një rrezik të tillë, ndërkohë që ajo vazhdon të punojë në zemër të qeverisë.

Qëndrimi i SPAK ndaj Ballukut ngre pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si po vepron drejtësia e re. A po tregohet SPAK selektiv? Pse kaq shumë kujdes për Ballukun, ndërsa të tjerët janë pas hekurave në pritje të gjykimit? Apo mos ndoshta disa dosje hapen për t’u mbyllur me kujdes politik?

Nëse drejtësia nis të peshojë ndryshe figurat e pushtetit, ajo humbet kuptimin e ekzistencës.
Rasti “Balluku” është testi më serioz për besueshmërinë e SPAK, dhe mënyra si do të trajtohet kjo dosje do të tregojë nëse drejtësia shqiptare është vërtet e barabartë për të gjithë, apo e kapur prej të fortëve të pushtetit.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×