
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, i ftuar në studion e emisionit “Log” në News24, ka komentuar çështjen e përgjimeve që përfshijnë zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila është nën hetim nga SPAK për një tender me vlerë rreth 50 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.
Balliu akuzoi mazhorancën se po pengon transparencën në Kuvend, duke theksuar se kërkesa e tij për interpelancë është refuzuar në mënyrë të padrejtë.
“Nëse do lejonin të flitej interpelanca, ajo do zgjaste 2-3 orë. Kur kryetari i Kuvendit i mohon të drejtën deputetit për interpelancë, ai ka të paktën 10 minuta për të folur. Pavarësisht kësaj, vendimi i kryetarit ka qenë në shkelje, sepse nuk ka asnjë ofendim apo shpifje nga ana ime ndaj Ballukut. Përkundrazi, kemi një hetim zyrtar ndaj saj”, u shpreh Balliu.
Deputeti demokrat shtoi se, sipas tij, Balluku do të ishte e detyruar të pranonte se urdhrat për tenderin e Llogarasë kanë ardhur nga vetë kryeministri, dhe se kompania turke që përfitoi është e lidhur me rrethin e tij të ngushtë.
“Po të fliste Balluku, do duhej të shpjegonte një moment të rëndësishëm: që ky urdhër i ka ardhur nga kryeministri. Kompania turke janë miqtë e tij, ndërsa Belinda ka firmosur aktin normativ që favorizon këtë tender,” deklaroi Balliu.
Ai shtoi se përgjimet e publikuara tregojnë ndërhyrjet e Ballukut për të manipuluar procesin e tenderimit.
“Përgjimet që dëgjoni janë ndërhyrjet e Ballukut për të skualifikuar tenderin që është fituar në mënyrë të rregullt. Ajo thotë: ‘Kthehu te komisioni dhe thuaju të bëjnë edhe një herë kualifikimin dhe të skualifikojnë fituesin, të anulojnë procedurën.’ Kjo është prova më e qartë e abuzimit,” përfundoi Balliu.
Ai theksoi se Balluku duke firmosur një akt normativ ka nxjerrë 50 milionë euro shtesë nga buxheti i shtetit.
and then