
Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit në Tiranë, Alaudin Malaj, i ftuar në studion e emisionit “Log” në News24, ka komentuar zhvillimet më të fundit lidhur me hetimin e SPAK ndaj zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila akuzohet për një tender me vlerë 50 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.
Malaj zbuloi se telefonat e Ballukut dhe të Evis Berberit, ish-drejtor i ARRSH-së, janë sekuestruar nga SPAK rreth një vit e gjysmë më parë, si pjesë e hetimeve për këtë aferë të madhe korruptive.
“Telefonat kanë një vit e gjysmë që janë marrë, si të Ballukut ashtu edhe të Evis Berberit, ish-kreut të ARRSH. Përgjimet dhe telefonat u janë marrë në zyrë 1 vit e gjysmë përpara,” deklaroi Malaj.
Sipas tij, SPAK ka vepruar në heshtje, duke mbajtur sekuestrimin e pajisjeve të fshehtë për një periudhë të gjatë, deri në momentin kur çështja u bë publike përmes mediave.
“SPAK ka ecur një hap para Ballukut. I ka sekuestruar dy telefonat dhe e mbajti në heshtje që telefoni i saj është marrë nga SPAK. Më pas dolën shkrimet në media, por SPAK ka qenë dy hapa përpara në këtë çështje, sipas informacionit që kam unë,” u shpreh ish-gjyqtari.
Malaj e cilësoi këtë si fazën e parë të goditjes së SPAK, që çoi në procedim penal zv/kryeministren e Shqipërisë. Ai shtoi se hapat e ardhshëm të hetimit pritet të fokusohen tek milionat e eurove të përfituara në mënyrë të paligjshme.
“Kjo ishte faza e parë e SPAK, që dha një goditje duke marrë në procedim penal me akuzë zv/kryeministren e Shqipërisë. Se çfarë do vijojë më vonë, besoj se do shkojë te milionat e marra, që nuk do kalojnë aq kollaj. Kjo është vjedhje e hapur e pasurisë shtetërore,” përfundoi Malaj.
and then