“Asnjë trokitje në qiell”, Naim Dokle sjell librin e ri: Shkrimet e mia vijnë nga përvoja njerëzore

Shkrimtari dhe ish-kryetari i Parlamentit, Naim Dokle, ishte i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ku foli për librin e tij më të fundit me titull “Asnjë trokitje në qiell”.

Gjatë intervistës, Dokle u shpreh se libri i tij është mirëpritur nga lexuesit e parë dhe se për të, vlerësimi më i madh vjen gjithmonë nga lexuesi. “Shkrimtari e shkruan librin, por lexuesi është ai që e vlerëson. Lexuesit e parë e kanë pritur mirë, por megjithatë libri shkruhet për t’u lexuar. Nëse lexuesi e mirëpret, është bukuri,” tha ai.

Dokle theksoi se krijimtaria e tij mbështetet te përvoja jetësore dhe realiteti, duke shmangur fantazinë e tepruar. “Mendoj se mirëpritet sepse unë shkruaj për jetën dhe nuk fantazoj shumë. Mbështetem te përvojat jetësore dhe gjërat që njoh, nuk shkruaj dot për ato që nuk i njoh. Mbi bazën e atyre përvojave dalin edhe përgjithësime,” u shpreh ai.

Në bisedë, autori ndaloi edhe te marrëdhënia mes shkrimtarëve shqiptarë, duke vënë në dukje mungesën e leximit dhe mbështetjes reciproke mes tyre. “Ka shumë shkrimtarë në Shqipëri që nuk lexojnë njëri-tjetrin, dhe kjo nuk është e mirë. Është normale të lexosh letërsinë e huaj, por duhet të lexojmë edhe krijimtarinë tonë kombëtare,” theksoi Dokle.

Ai shtoi se përpiqet të ndjekë dhe të respektojë autorët shqiptarë, si ata brenda vendit ashtu edhe ata të diasporës. “Unë përpiqem të lexoj shkrimtarë e autorë këtu dhe jashtë, sepse ka një krijimtari të pasur. Përpiqem t’i respektoj dhe në promovime, dhe ndjej kënaqësi kur dëgjoj për një libër të mirë,” tha shkrimtari.

Në fund të intervistës, Dokle rrëfeu se pasioni për letërsinë ka qenë një ëndërr e hershme e fëmijërisë së tij. “E kam pasur ëndërr fëmijërie letërsinë,” përfundoi ai.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×