“Mazhoranca po e kthen Parlamentin në mekanizëm pa debat”, Bylykbashi: Urdhrat vijnë nga…

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe situatën në Parlament, duke akuzuar mazhorancën se po pengon qëllimisht debatin demokratik.

“Në Parlament, mazhoranca nuk do debat. Dje ishte hera e dytë që mbaja fjalën. Kam kërkuar të flas në çdo seancë, por nuk më është dhënë mundësia. Kanë kthyer në mekanizëm heqjen e fjalës duke mbyllur seancën,” u shpreh Bylykbashi, duke e cilësuar këtë praktikë si shkelje të rregullores dhe të të drejtave të opozitës.

Sipas tij, Partia Demokratike është një forcë e madhe që përfaqëson një elektorat të gjerë dhe të larmishëm, ndaj duhet të ketë hapësirë për debat. “Ne kemi debatin parlamentar si instrument të fuqishëm, por jo vetëm atë. Kemi protestat, veprime të tjera, forma të ndryshme të reagimit politik,” theksoi ai.

Bylykbashi shprehu gjithashtu pakënaqësi për mënyrën se si drejtohet Kuvendi nga kryetari aktual, Niko Peleshi, duke nënvizuar se ai po vepron nën ndikimin e Kryeministrit Edi Rama.

“Drejtimi i Parlamentit me kryetar Niko Peleshin është problematik. Kuptohet se Rama i jep porositë. Kryetari i Kuvendit është numri dy i Republikës dhe duhet të garantojë balancën e procesit parlamentar,” tha Bylykbashi.

Deputeti demokrat shtoi se mbyllja e parakohshme e seancave po përdoret si mënyrë për të shmangur transparencën dhe për të bllokuar zërin e opozitës: “Kur u mbyll seanca dje, u mbyllën edhe votimet dhe iu hoq e drejta për të folur deputetëve që kishin çështje të rendit të ditës. Po shkelet hapur rregullorja. Është e dukshme që urdhrat vijnë nga kreu i grupit parlamentar të PS,” përfundoi Bylykbashi.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×