
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe diskutimet për reformën zgjedhore, duke theksuar se opozita është e gatshme të kontribuojë seriozisht në këtë proces, por mungon vullneti politik nga ana e mazhorancës.
Bylykbashi theksoi se në çdo rast të mëparshëm, me përjashtim të vitit 2021, komisioni i reformës zgjedhore është miratuar me unanimitet, dhe e cilësoi hipokrizi çdo qëndrim që do ta bllokonte këtë proces nga opozita: “Nëse opozita nuk do ta votonte, do ishte hipokrizi e madhe, sepse kemi gjysmën dhe të drejtën e vetos. Raporti i fundit i ODIHR është shumë i detajuar dhe flet hapur për përdorimin e shtetit në zgjedhje, administrata si patronazhim, përdorimi i fondeve publike e bonuseve për qëllime elektorale. Kjo është një detyrë e madhe që duhet adresuar.”
Deputeti demokrat kujtoi se vitin e kaluar PD deklaroi se nuk pati reformë zgjedhore reale, pasi rekomandimet e ODIHR u rrëzuan nga mazhoranca. “Kërkesa jonë kryesore ishte rikthimi i koalicioneve, që PS i hoqi me ndryshimet e vitit 2020. Përgjigja që morëm nga negociatorët socialistë ishte: ‘Rama nuk është budalla të na kthejë atë që hoqëm vetë’,” tha Bylykbashi.
Ai shtoi se sistemi aktual zgjedhor, i miratuar në vitin 2020, është “sistemi Gjiknuri”, që sipas tij “vret demokracinë parlamentare dhe pluralizmin politik.” “Ne nuk kemi përgjegjësi për një sistem që u imponua pa konsensus. Ky sistem duhet ndryshuar, përndryshe Shqipëria do të mbetet me një demokraci të deformuar,” u shpreh ai.
Sipas Bylykbashit, vendimi i Parlamentit parashikon 9 muaj kohë për punën e komisioneve, përfshirë atë të reformës territoriale, por suksesi i tyre varet nga vullneti politik dhe klima parlamentare: “Nëse klima mbetet si ajo që kemi sot në Kuvend, të dy komisionet do e kenë thuajse të pamundur të funksionojnë.”
Deputeti demokrat shtoi se PD do të zhvillojë një diskutim të brendshëm për prioritetet e saj, në bashkëpunim me aleatët dhe grupin parlamentar, duke theksuar se shpartallimi i ndërhyrjes së shtetit në zgjedhje mbetet qëllimi kryesor.
“Ky sistem nuk mund të vazhdojë kështu. Unë personalisht preferoj sistemin mazhoritar, sepse sjell përplasje mes dy palëve të qarta. Lista e hapur në formën aktuale krijon garë brenda partisë dhe tension politik. Nëse do të kishte një proporcional kombëtar me lista të hapura si në Kosovë, do ishte shumë më funksional,” deklaroi Bylykbashi.
Ai përmendi se Bashkimi Europian dhe opinioni publik po ushtrojnë presion të lartë për të pasur një reformë zgjedhore funksionale, transparente dhe përfshirëse: “Ne do të bëjmë maksimumin tonë. Tani mbetet për t’u parë nëse Partia Socialiste do të ketë vullnet të vërtetë politik. Fryma është e rënduar dhe në këtë klimë, edhe përjashtimi i opozitës nga komisionet nuk përjashtohet,” përfundoi Bylykbashi.
and then