
Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur te vendimi për marrjen e pandehur të zv/kryeministres Belinda Balluku nga SPAK.
Sipas Lubonjës, materiali hetimor dhe komunikimet e dala në dritë përbëjnë një goditje të rëndë për imazhin e qeverisë dhe për partinë në pushtet. “Ngjarja që ka ndodhur, gjuha që kemi parë që përdor Balluku në ato komunikime dhe hapat që janë hedhur me drejtorin e saj janë shumë diskredituese për këtë parti që pretendon se është më e mirë se çdo parti që ka qeverisur Shqipërinë në këto dekada,” u shpreh ai.
Lubonja e cilësoi të papranueshme mënyrën e komunikimit të zyrtarëve të lartë shtetërorë, duke e quajtur atë “banalitet të frikshëm”. “Mjafton të shohim gjuhën që përdor Balluku me vartësin e saj, mënyrën si flet për shefin e vet. Këto janë institucione, jo njerëz. Janë si një bandë injorantësh,” deklaroi ai.
Megjithatë, analisti theksoi se skandale të tilla, ndonëse sjellin diskreditim publik, nuk përkthehen domosdoshmërisht në dobësim politik për qeverinë. “Kjo sjell delegjitimim në opinionin publik, por jo domosdoshmërisht sjell rrëzimin nga pushteti. Këtu është problemi i madh: sa vepron drejtësia. Në një vend demokratik, mjafton që drejtësia të veprojë dhe këta rrëzohen vetë,” theksoi Lubonja.
Sipas tij, përgjegjësia politike dhe institucionale nuk ndalet te një individ, por shkon deri në majën e qeverisë. “Pas Ballukut është Edi Rama. Nuk ka shqiptar që nuk e kupton këtë,” tha analisti, duke shtuar se kapja e pushtetit dhe e një pjese të sistemit të drejtësisë është arsyeja pse mazhoranca qëndron ende në fuqi.
“Kapja e pushtetit nga ana e tyre dhe e një pjese të drejtësisë bën që të rrinë në pushtet. Këtu është loja. Mendoj se pak mund të bëjë opozita në këtë rast. Kemi nevojë që të ndëshkohen ata që kanë bërë shkelje. Mund të vijnë njerëz të tjerë dhe sistemi vazhdon. Duhet të ndalojë kjo,” nënvizoi Lubonja.
and then