“Politikanët më kanë kërkuar këshilla”, Dokle: Kam dëgjuar deputetët e rinj që ankohen se nuk u lënë radhë as të flasin

Shkrimtari dhe ish-kryetari i Parlamentit, Namik Dokle, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, ka folur për përvojën e tij politike dhe për mënyrën si funksionon sot përgatitja e brezit të ri të deputetëve në Kuvend.

Dokle u shpreh se ndonëse është larguar prej vitesh nga politika aktive, periudhën e tij në krye të grupit parlamentar e kujton me kënaqësi. “Kam pasur kënaqësi nga politika, kam drejtuar një grup parlamentar të shkëlqyer,” tha ai.

I pyetur për raportet me politikanët e rinj, Dokle tha se ndonëse dikur i kërkonin shpesh këshilla, sot këto raste janë rralluar. “Ka raste kur politikanë të rinj më kanë kërkuar këshilla, tani janë pakësuar, por mendoj se partitë bëjnë punën e tyre me deputetët e rinj. Nuk e di saktësisht çfarë ndodh,” u shpreh ai.

Gjatë intervistës, Dokle solli një shembull nga një aktivitet i organizuar nga fondacioni “Westminster for Democracy”, ku mori pjesë në një seminar dyditor së bashku me ish-ministrin Eduard Halimi. “Tema ishte si bëhet politika dhe si kontrollohet zbatimi i ligjeve, si mund të përmirësohet puna parlamentare. Më bëri përshtypje që deputetët e rinj që ishin aty ishin shumë të interesuar për të dëgjuar përvojën e parlamenteve të mëparshme,” tha ai.

Megjithatë, Dokle vuri re se pjesëmarrja në aktivitete të tilla ishte e ulët. “Pyeta sa deputetë keni ftuar dhe më thanë rreth 30-40, ndërsa prezent ishin shumë më pak. Dikush nuk ka interes, por ata që ishin aty kishin dëshirë të mësonin për Parlamentin,” shtoi ai.

Ish-kryeparlamentari theksoi se nisma të tilla nuk duhet të vijnë vetëm nga organizata të huaja, por edhe nga vetë fondacionet dhe partitë politike shqiptare. “Mendoj se këto duhet të organizohen edhe nga fondacionet tona, jo vetëm të presim nga të huajt. Edhe vetë partitë duhet ta bëjnë këtë,” theksoi Dokle.

Në fund, ai vuri në dukje mungesën e hapësirës për deputetët e rinj në jetën parlamentare. “Sa dëgjova, disa deputetë kishin ankesë që nuk u lënë radhë as të flasin, jo më t’i mësojnë. Nuk e di si ndodh, por nëse kanë dëshirë, gjendet mënyra për të mësuar,” përfundoi Naim Dokle.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×