Tatimet rreth 10 mln lekë gjobë biznesit për 15 kg gjizë pa faturë, Braçe denoncon me dokumente: Mbaje dorën or trim! Po lëmë nam!

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka publikuar në rrjetet sociale faturat e gjobave që Tatimet dhe AKU i kanë vendosur një biznesi të vogël në lagjen nr.5 të Tiranës, ku sipas inspektimeve janë konstatuar 15 kilogramë gjizë pa faturë tatimore.

Ky denoncim vjen pas një fjalimi të Braçes dje në Kuvend, ku ai komentoi raportin e KLSH-së dhe theksoi abuzimet e drejtorive tatimore dhe të AKU-së, veçanërisht ndaj bizneseve të vogla.

Biznesi është gjobitur me afro 10 milionë lekë të vjetra, ku përfshihet gjoba 825.000 lekë nga Tatimet dhe 150.000 lekë nga AKU për 15.82 kilogramë gjizë, e cila sipas Braçes kushton 229 lekë për kilogram. Braçe denoncoi dje në Kuvend se inspektorët dalin ashtë sistemit elektronik të inspektimit, fikin kamerat e GPS, duke shtuar se e kanë kthyer në metodë pune për t’u sjellë keq me të dobëtin.

REAGIMI
“MBAJE DOREN OR TRIM, MBAJE!
825.000 LEKE GJOBE TATIMET + 150.000 LEKE GJOBE AKU
PER 15.82 KILOGRAME GJIZE ME VLERE 229 LEKE!
Kuptoni? GJIZE!
E gjitha ne mes te nje lagjeje te varfer ne NJESINE 5!
Jo tek restoranti i luksit, por tamam tek kjo lagjia!
Natyrisht, eshte bere aq e njohur kjo historia e TVSH SE BUJQESISE DHE BLEGTORISE, AUTOFATURA SA EDHE DORDOMUZET FISKALE E KANE KUPTUAR SE KETU BEHET EDHE PLANI I “FORMALIZIMIT” EDHE HAPESIRA E KORRUPSIONIT!
Tani jemi ne piken qe POLICIMI I PRODHIMIT BUJQESOR te cilin e sheh si zgjidhje vec DHIMUA, kenaq vec MUCIN e cdo Muc tjeter qe firmos ne keto letra qe jane NAM, bejne NAM dhe na bejne te LEME NAM!!” shkruan Braçe në postimin e tij.

 

DENONCIMI
Deklarata e deputetit socialist Erion Braçe, I cili akuzon administratën tatimore për gjoba arbitrare dhe manipulime gjatë kontrolleve në terren, rikthen debatin për mënyrën se si funksionon realisht sistemi i mbikëqyrjes fiskale në Shqipëri. Sipas Braçes, inspektorët e Tatimeve “fiknin kamerat dhe GPS-in” gjatë kontrolleve, duke eliminuar çdo gjurmë monitorimi dhe duke i hapur rrugë abuzimeve me bizneset. Kjo sjellje e pohuar nga një deputet I maxhorancës, është shumë më tepër se një shkelje teknike është një goditje ndaj besimit publik dhe integritetit institucional. Kamera dhe GPS-i nuk janë pajisje simbolike, por garancia që çdo kontroll bëhet me transparencë dhe pa ndikime personale.Në thelb, kemi të bëjmë me kulturën e përhapur tashmë të mungesës së përgjegjshmërisë, ku pushteti i zyrtarëve në terren mbetet shpesh i pakontrolluar. Gjobat arbitrare, selektiviteti në kontrolle dhe presioni mbi bizneset janë simptoma të një sistemi që ende operon më shumë me frikë sesa me rregull. Kërkesa e Braçes që Kontrolli i Lartë i Shtetit të hetojë Drejtorinë e Tatimeve të Tiranës dhe të ashtuquajturën “Drejtoria e VIP-ave” është një thirrje për rikthimin e llogaridhënies. Sepse aty ku inspektorët fikin kamerat, duhet të ndizet alarmi i shtetit. Nëse vërtet flasim për institucione që mbrojnë ekonominë dhe jo që e shantazhojnë atë, transparenca duhet të kthehet në standard ligjor, jo në përjashtim të përkohshëm. Tatimet nuk mund të jenë mjet për të ndëshkuar, por mekanizëm për të ndërtuar besim. Dhe kjo kërkon më shumë se deklarata politike, kërkon kontroll real, përgjegjësi individuale dhe ndëshkim për abuzuesit.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×