
Moderatorja e emisionit “Oponencë” dhe gazetarja, Anduena Llabani, e ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me marrjen të pandehur të zëvendëskryeministres Belinda Balluku nga SPAK, duke zbuluar detaje mbi dinamikën e hetimeve dhe përfshirjen e ndërkombëtarëve në këtë proces.
Sipas Llabanit, hetimi ndaj Ballukut është zgjeruar ndjeshëm javët e fundit, ndërsa numri i prokurorëve që po punojnë për rastin është rritur. “Prokurorët për çështjet ndaj Ballukut janë shtuar në numër. Po merren me dosje të ndryshme, por edhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ka një numër të konsiderueshëm agjentësh që po punojnë për rastet në fjalë,” u shpreh ajo.
Moderatorja shtoi se prokurori Dritan Prençi, i cili drejton hetimet për disa nga dosjet që lidhen me Ballukun, është takuar së fundmi nga një zyrtar i lartë i qeverisë amerikane, fakt që sipas saj tregon interesin e ndërkombëtarëve për këtë çështje.
“Në SPAK, prokurorin Prençi e ka takuar një zyrtar i lartë i qeverisë amerikane. Nëse ndërkombëtarët, me hir apo pahir, kanë kërkuar një hetim efikas, kjo tregon se edhe ata kanë interesin e tyre në këtë rast. Kur bëhet fjalë për korrupsion në nivelet e larta, ky është një nga hetimet që mund t’i japë kuptim SPAK-ut dhe vlerë asaj heshtjes kaqvjeçare të institucionit,” tha Llabani.
Ajo kujtoi se kreu aktual i SPAK, Altin Dumani, ndodhet drejt fundit të mandatit, por sipas saj, pritet të përshpejtojë ritmin e punës për të lënë një trashëgimi të fortë. “E di që Dumani është në metrat e fundit, por besoj se do vrapojë shumë fort,” theksoi ajo.
Një element tjetër i rëndësishëm që, sipas Llabanit, ka ndihmuar ndjeshëm hetimet, është puna mediatike e bërë nga News24. “Një ndihmë shumë e madhe kanë qenë edhe materialet dhe raportimet e News24. Në dosje evidentohet se një pjesë e mirë e dokumenteve mbi të cilat është bazuar hetimi, përfshirë edhe atë për tunelin e Llogarasë, janë marrë nga raportimet e këtij televizioni. Hetimi ka marrë spunto pikërisht nga faktet e publikuara në News24,” u shpreh ajo.
and then