Cërriku gati për zgjedhjet e parakohshme/ Mbi 38 mijë qytetarë votojnë për kryebashkiakun e ri, procesi i shpërndarjes së materialeve vonohet për shkak të…

Bashkia e Cërrikut në Qarkun e Elbasanit është drejt orëve të fundit të përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme vendore të 9 nëntorit, ku 38.740 qytetarë do të kenë mundësinë të zgjedhin kryebashkiakun e ri. Në këtë bashki janë ngritur gjithsej 57 qendra votimi, të cilat pritet të hapen nesër në mëngjes në orarin zyrtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Kryetari i KZAZ nr. 47, Krenar Karaj, bëri të ditur se procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore është në zhvillim e sipër dhe po ecën “deri diku normalisht”, megjithëse nuk ka përfunduar ende.

Sipas Karajt, vonesat janë shkaktuar nga dorëzimi i vonuar i listave të komisionerëve nga subjekti politik Partia Demokratike, e cila mbështet kandidatin e pavarur Amarildo Hoxha.

“Procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore në bashkinë Cërrik nuk ka përfunduar ende, edhe pse kemi filluar shumë herët dhe jemi tashmë në orët e para të mbrëmjes së së shtunës. Vonesa ka ardhur pasi subjekti politik PD, mbështetës i kandidatit të pavarur Amarildo Hoxha, ka dorëzuar listat e komisionerëve me vonesë, duke penguar ritmin e shpërndarjes së materialeve zgjedhore. Megjithatë, jemi duke vijuar dhe presim ta përfundojmë procesin në orët në vijim”, deklaroi Karaj.

Pavarësisht vështirësive paraprake , ai siguroi se të gjitha qendrat e votimit janë tashmë gati për të marrë bazën materiale, në mënyrë që procesi i votimit të zhvillohet normalisht dhe pa vonesa.

Në garë për drejtimin e Bashkisë së Cërrikut janë tre kandidatë:

• Eligert Hima, përfaqësues i subjektit politik “Shqipëria Bëhet”;
• Amarildo Hoxha, kandidat i pavarur i propozuar nga zgjedhësit dhe i mbështetur nga Partia Demokratike;
• Florenc Doka, përfaqësues i Partisë Socialiste.

Kjo është një nga garat më të vëmendshme të këtij viti, pasi kandidatët Hima e Hoxha gjatë fushatës kanë paralajmëruar një përballje e fortë politike mes mazhorancës, opozitës dhe kandidatit të pavarur, në një bashki që ka pasur zhvillime dinamike politike gjatë viteve të fundit.

Autoritetet zgjedhore lokale dhe strukturat e rendit janë në gatishmëri për të garantuar një proces të qetë, transparent dhe të rregullt në të gjitha qendrat e votimit të Bashkisë Cërrik.

Zgjedhjet në bashkinë Cërrik pritet që këtë të dielë të testojnë jo vetëm vullnetin e qytetarëve për përfaqësim lokal, por edhe klimën politike të përgjithshme në qarkun e Elbasanit pas zgjedhjeve parlamentare të Majit ku Qarku i Elbasanit përfaqësohet me  10 deputetë nga PS dhe 4 nga PD .



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×