
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar në rrjetet sociale në lidhje me takimin mes presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orbán.
Në një postim në Facebook, Meta shprehu mbështetje të plotë për qëndrimin e presidentit amerikan, duke vlerësuar rolin e Orbán si një figurë që mbron me vendosmëri identitetin kombëtar dhe vlerat tradicionale.
“E vlerësoj dhe e mbështes plotësisht thirrjen e Presidentit të SHBA, Donald Trump, për të treguar respekt ndaj liderit të Hungarisë, Viktor Orbán. Një zë i fortë në mbrojtje të sovranitetit, identitetit kombëtar dhe vlerave tradicionale shoqërore, Orbán përfaqëson një shembull frymëzimi për vendin e tij, për kontinentin dhe për popullin tonë,” shkruan Meta.
Ai vuri në dukje ligjin e miratuar në parlamentin hungarez, që njeh vetëm dy gjini dhe rolin e prindërve, si një shembull të qartë të mbrojtjes së familjes tradicionale.
Kreu i Partisë së Lirisë theksoi se edhe Shqipëria duhet të ndjekë këtë model, duke e konsideruar ligjin e fundit të qeverisë Rama si një “sulm ndaj familjes dhe kombit”.
“Ashtu si ai, edhe ne duhet të jemi të vendosur për të mbrojtur themelet e shoqërisë sonë. Ligji anti-familje i votuar nga Rama dhe kukullat e tij në Kuvend përbën një sulm të hapur ndaj familjes dhe kombit tonë,” shtoi Meta.
Në përfundim, ai u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë të bashkuar në mbrojtje të vlerave tradicionale dhe kombëtare.
“Më shumë se kurrë, është detyra jonë të qëndrojmë të bashkuar në mbrojtje të vlerave tona të përbashkëta dhe të shenjta, të familjes dhe kombit, kundër një ideologjie që synon t’i shkatërrojë ato,” përfundon Meta në reagimin e tij.
and then