
Të dielën 334.539 mijë votues të pesë bashkive do të votojnë për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj.
KQZ ka shpërndarë materialet zgjedhore në 5 bashkitë, Vlorë, Berat, Cërrik, Mat, Tepelenë.
Për mbarëvajtjen e procesit të votimit, Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash. Në 5 bashkitë ku do të zhvillohen zgjedhjet, Policia e Shtetit ka marrë në ruajtje 9 objekte zgjedhore ku janë vendosur komisionet e KZAZ-ve, si edhe 473 objekte që do të shërbejnë si qendra votimi.
Në total, janë 612 punonjës policie që do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore dhe shoqërimin e materialeve. Policia e Shtetit i bën thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo rast që synon të tjetërsojë votën e tyre.
Kjo shënohet si fushata më jo tipike, pasi kandidatët e kanë zhvilluar fushatën e tyre pa protagonizëm politik, dhe as liderët e partive të mëdha, Rama e Berisha, nuk janë shfaqur në asnjë miting apo takim elektoral.
Në Vlorë, numri i qytetarëve me të drejtë vote është afro 172 mijë, në Berat mbi 82 mijë, në Cërrik afro 39 mijë, në Mat 29 mijë ndërsa në Tepelenë, 12 600.
Partia Demokratike dhe opozita zyrtarisht nuk kanë kandidatë të regjistruar në siglën e tyre, por kanë deklaruar mbështetjen për disa emra të cilët janë shpallur si të pavarur, të cilët do të jenë përballë 5 socialistëve por edhe disa emrave të tjera.
Në Vlorë, Brunilda Mersini e PS, e cila la mandatin e deputetes për kandidimin si kryebashkiake, do të garojë përballë dy demokratëve, kandidatit të mbështetur PD, Dionis Sota, teksa në garë do të jetë edhe Gjergj Nika, anëtari i Këshillit Bashkiak i zgjedhur nën siglën e Parisë Demokratike.
Në Berat, PS ka propozuar kandidatin Ervin Ceca, i cili do të jetë përballë Pavlo Shkarpës.
Një garë treshe do të ketë edhe në bashkinë e Matit. Altin Bojni do të jetë kandidati socialist, ndërsa një tjetër socialiste ka sfiduar propozimin e Ramës duke shpallur kandidaturën e pavarur, ish kryetarja e Gruas në PS-në lokale, Suzana Pasha. Ndërkohë që PD dhe opozita mbështet kandidaturën e pavarur të Eduart Brahilikës.
Në Cërrik, Florenc Doka i PS do të kandidojë përballë kandidatit të pavarur Amarildo Hoxha, për të cilën ka deklaruar mbështetjen edhe PD e Berishës. Në këtë bashki do të ketë edhe një kandidat i tretë, nën logon e partisë ‘Lëvizja Shqipëria Bëhet’ është Eligert Hima.
Në Tepelenë, PS ka propozuar kandidatin Gramoz Sako, ndërsa opozita do të mbështesë të pavarurin Gabriel Guma.
Mandati i kryebashkiakëve të rinj do të jetë vetëm një vit e gjysmë, derisa të mbahen zgjedhjet lokale në pranverën e vitit 2027.
and then