
Analisti Neritan Alibali ka debatuar sot në emisionin ‘Log’ në News24 me kreun e Mundësia, në lidhje me vendimin që dha Gjykata Kushtetuese për Erion Veliajn, duke e kthyer atë në detyrë si kryebashkiak. Juristi Alibali theksoi se Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur që të korruptuarit nuk duhet të shkarkohen, por se qeveria ka përdorur një nen antikushtetues për ta bërë këtë.
“Gjykata Kushtetuese nuk ka thënë se një i korruptuar nuk duhet të shkarkohet. Ajo tha se neni 62 i ligjit përkatës është antikushtetues. Pra, qeveria përdori një nen që bie ndesh me Kushtetutën. Që në fillim kam theksuar në çdo studio se pika ‘c’ bie ndesh me nenin kushtetues dhe të gjithë kushtetuesit kanë rënë dakord me këtë,” tha Alibali.
Agron Shehaj reagoi duke kujtuar se brenda vetë Gjykatës Kushtetuese ka pasur mendime kundër, ndërsa kërkoi që vendimi të analizohet më gjerë dhe jo vetëm nga aspekti teknik. “Ka dhe nga ata anëtarë të Gjykatës Kushtetuese që kanë qenë kundër. Ju ftoj ta shikoni më thellë këtë vendim, mos u kapni vetëm te neni 3,” u shpreh Shehaj.
Në vijim, Alibali sqaroi se ende nuk është publikuar arsyetimi i plotë i vendimit, por vetëm dispozitivi, dhe se mendimi i minorancës do të shihet në detaje pas publikimit të plotë. “Ne nuk kemi marrë akoma arsyetimin, vetëm dispozitivin. Kur të publikohet arsyetimi, do të shihet edhe qëndrimi i minorancës.”, tha ai.
Shehaj reagoi ashpër duke e quajtur të papranueshme që një kryetar bashkie i akuzuar për korrupsion të vazhdojë të jetë në detyrë. “Një kryetar bashkie i akuzuar nga SPAK, të qëndrojë në detyrë? Kjo nuk shkon. Kjo është një tallje me qytetarët,” tha ai. Por Alibali këmbënguli se në një shtet të së drejtës, Kushtetuta nuk mund të shkelet as për një qëllim të mirë. “Nuk duhet të shkelet Kushtetuta në një shtet të së drejtës. Çdo qeveri ka tundimin ta shkelë për interesa politike, por nuk duhet ta lejojmë këtë,” argumentoi ai.
Në fund, Shehaj paralajmëroi se vendimi i Kushtetueses mund të krijojë precedent të rrezikshëm, duke u dhënë “imunitet moral” të gjithë të akuzuarve për korrupsion. “Ka të paktën 10 kryetarë bashkie dhe zyrtarë të lartë të akuzuar nga SPAK. Me këtë logjikë, të gjithë këta mund të rrinë të qetë, sepse askush nuk i shkarkon dot,” -tha Shehaj. Alibali u përgjigj shkurt: “Secili është rast i veçantë, por parimi është i njëjtë, Kushtetuta është mbi çdo vendim politik.”.
and then