
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar kërkesat e paraqitura nga avokatët e të pandehurve në dosjen e njohur si “Partizani”, të cilët pretendonin pavlefshmëri absolute të disa akteve hetimore të kryera nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).
Në seancën e sotme, GJKKO arsyetoi se kërkesat e mbrojtjes ishin të pabazuara në ligj dhe në prova, duke theksuar se vendimet e marra gjatë hetimeve paraprake nga gjyqtarja Irena Gjoka ishin në përputhje me procedurat ligjore.
Gjykata vlerësoi se pretendimet për tejkalim të kompetencave nga ana e SPAK nuk gjejnë mbështetje në ligj apo në provat e paraqitura. Po ashtu, GJKKO kujtoi se të gjitha masat e sigurimit personal dhe pasuror janë shqyrtuar më parë në të gjitha shkallët e drejtësisë, deri edhe në Gjykatën Kushtetuese, çka përjashton mundësinë e pavlefshmërisë absolute të tyre.
Në lidhje me pretendimet e mbrojtjes se disa ekspertë nuk ishin të licencuar ose ndodheshin në konflikt interesi, GJKKO konstatoi se këto raste nuk sjellin pavlefshmëri të akteve hetimore.
Sipas vendimit të gjykatës, ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore kanë kryer detyrat e tyre bazuar në ligj, ndërsa argumentet e paraqitura nga pala mbrojtëse u cilësuan si “deklarative”.
Gjykata ka njoftuar se në vijim do të thërrasë një ekspert topograf për të dëshmuar mbi njohuritë dhe kualifikimet e tij, përpara se të shprehet përfundimisht mbi një nga kërkesat për pavlefshmëri absolute.
Në qëndrimin e saj, GJKKO rrëzoi edhe pretendimet e mbrojtjes për sekuestrimin dhe ekspertimin e pajisjeve kompjuterike si të kryera në kundërshtim me ligjin.
Sipas gjykatës, sekuestrimet e kryera në “Studio Pustina” dhe të dhënat e përfituara nga shoqëria “Homeplan” janë të ligjshme, por të dhënat e marra nga pajisjet që më pas iu kthyen të pandehurve nuk mund të përdoren si prova.
GJKKO konstatoi gjithashtu se nuk ka pasur shkelje të afateve ligjore për kryerjen e ekspertimeve, si dhe nuk u gjetën prova që ekspertët të kenë qenë të ndikuar apo të paanshëm gjatë veprimeve hetimore.
Në përfundim, gjykata vlerësoi se disa nga pretendimet e mbrojtjes nuk hyjnë në kategorinë e kërkesave paraprake, por duhet t’i nënshtrohen shqyrtimit gjyqësor në vijim të procesit.
and then