Zbulohet identiteti i shqiptarit/ U gjet i lidhur me pranga dhe i djegur në makinë, ja për kë dyshon policia greke (EMRI)

Policia greke dyshon se trupi i gjetur i vrarë me armë zjarri dhe më pas i djegur në një automjet në Skourta të Viotias, i përket një shtetasi shqiptar, ndërsa po priten rezultatet e analizave të ADN-së për konfirmim zyrtar. Sipas mediave greke, bëhet fjalë për 27-vjeçarin Sulo Halili, me origjinë nga Becishti i Tepelenës, i cili rezulton i zhdukur që nga pasditja e 4 nëntorit. Ai ishte larguar nga banesa e tij në Halkida dhe që prej asaj kohe nuk kishte dhënë më asnjë shenjë jete. Automjeti i tij u gjet i braktisur në zonën e Vilia-s, afër Athinës.

Halili përshkruhet si shtatshkurtër, rreth 1.70 metra i gjatë, me flokë të shkurtër ngjyrë kafe të errët, sy kafe dhe trup të dobët. Ai ka mjekër dhe një tatuazh në krahun e majtë me dy trëndafila, një yll dhe disa shkronja. Ditën që u zhduk, kishte veshur këmishë të zezë, pantallona xhins të zeza Cargo dhe atlete të bardha.

Sipas hetimeve paraprake, autopsia ka zbuluar se viktima është qëlluar me një plumb përpara se të digjej. Trupi u gjet i prangosur në sediljen e pasme të një makine të vjedhur në Glifadha, me targa të falsifikuara që i përkisnin një mjeti të ngjashëm në Katerini.

Hetuesit grekë nuk përjashtojnë mundësinë që 27-vjeçari të ketë qenë i përfshirë në veprimtari kriminale, ose të ketë rënë rastësisht viktimë e një hakmarrjeje. Rezultatet e analizës së ADN-së pritet të konfirmojnë zyrtarisht identitetin e viktimës në ditët në vijim.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×