
Policia ka nisur hetimet intensive për zbardhjen e atentatit të ndodhur pranë aeroportit të Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos rëndë agjenti i AMPT-së, Muçi Shaljani Sheqeri. Ngjarja tronditëse ka vënë në alarm forcat hetimore, të cilat po analizojnë çdo detaj për të identifikuar autorët dhe bashkëpunëtorët e mundshëm.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se janë sekuestruar dhe po kontrollohen pamjet e kamerave të sigurisë së bizneseve dhe të vetë aeroportit, me qëllim identifikimin e personave që mund të kenë pasur rol informues për autorët.
Sipas hetimeve paraprake, autorët e atentatit ndodheshin brenda një automjeti tip “Toyota”, i cili ishte i ndaluar në rrethrrotullimin pranë aeroportit dhe priste momentin kur viktima dhe shoku i tij do të dilnin nga terminali.
Policia po verifikon të gjitha mjetet dhe personat që janë parë disa herë pranë portës dalëse të aeroportit, si dhe ata që kanë qëndruar për periudha të gjata në zonë dhe janë larguar menjëherë sapo Dani dhe Shaljani dolën nga aeroporti.
Hetimet po vazhdojnë në disa pista, përfshirë konfliktet e mundshme të viktimës, ndërsa grupi hetimor ka marrë në pyetje dëshmitarë dhe po analizohen të dhënat e telefonave celularë të personave të dyshuar.
and then