
Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka ofruar një analizë të thelluar mbi raportet e fundit të Komisionit Europian për procesin e zgjerimit dhe perspektivën e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Bushati krahasoi raportet vjetore me një lloj “zdrukthëtarie të politikës”, duke shpjeguar se, ashtu si në letërsi apo zanate, qëllimi është të ruhet balanca mes pasqyrimit të realitetit dhe motivimit për të avancuar me reformat. Ai vuri në dukje se, megjithëse politika e zgjerimit e BE-së njihet si një prej politikave më të suksesshme, për më shumë se dy dekada nuk ka prodhuar rezultate të prekshme për vendet e rajonit.
Në kontekstin e sfidave gjeopolitike pas agresionit rus në Ukrainë, sipas Bushatit, Komisioni Europian ka përpjekur të paraqesë zgjerimin si një mjet kyç për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit të BE-së. Ai përmendi si shembuj hapjen më të shpejtë të kapitujve të bisedimeve për Shqipërinë dhe mbylljen e disa kapitujve me Malin e Zi, si dhe njohjen e perspektivës së anëtarësimit për Ukrainën dhe Moldavinë.
Bushati theksoi rëndësinë e linjëzimit gjeopolitik dhe reformave të qëndrueshme në sundimin e ligjit dhe ekonomi si vija të kuqe të Komisionit për progresin e vendeve kandidate. Ai kritikoi praktikën e kaluar të BE-së për tolerimin e regresit demokratik në rajon, duke përmendur shembullin e Serbisë dhe sfidat e Kosovës.
Ish-ministri propozoi gjithashtu hapjen e një shtegu të ri për zgjerimin, duke përfshirë rrethimin demokratik të Serbisë me Mali i Zi dhe Shqipërinë si udhë shembullor. Ai nënvizoi se për këtë rrugë të re të bëhet një transformim real dhe të qëndrueshëm, duke garantuar standarde demokratike dhe qeverisje të mirë.
Bushati kritikoi gjithashtu fokusin ekskluziv mbi SPAK-un në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke theksuar se qeverisja dhe institucionet shtetërore duhet të jenë diga mbrojtëse ndaj ndikimit të krimit në jetën publike dhe ekonomike.
Sipas tij, zgjerimi funksionon jo vetëm mbi bazën e kritereve të Kopenhagenit, por edhe si një mjet politik dhe gjeostrategjik. Ai u shpreh se vendet e rajonit duhet të demonstrojnë reforma të vërteta dhe linjëzim gjeopolitik me BE-në, ndërsa Bashkimi Europian duhet të korrigjojë ndjenjën e poshtërimit dhe të ngjallë shpresë tek vendet kandidate.
Bushati përfundoi se një BE e zgjeruar me Ballkanin Perëndimor, Ukrainën dhe Moldavinë do të përfaqësonte një garanci sigurie dhe stabiliteti për të gjithë Europën, duke u shndërruar nga një aktor ekonomik në një projekt gjeostrategjik global.
Analiza e Ditmir Bushatit:
FRIKË, POSHTËRIM, SHPRESË
Teksa po lexoja raportet vjetore të Komisionit Europian për vendet që synojnë anëtarësimin në BE, së bashku me komunikatën për procesin e zgjerimit, m’u kujtua rrëfimtari i shquar dhe mjeshtri letrar i palodhur Gabriel Garcia Marquez, i cili, në një intervistë, pati thënë dikur se: “Në fund të fundit, letërsia nuk është gjë tjetër veçse zdrukthëtari. Të shkruash diçka është pothuajse aq e vështirë sa të bësh një tavolinë. Me të dyja po punon me realitetin, një material po aq i fortë sa druri. Të dyja janë plot me truke dhe teknika. Në thelb, përfshihet shumë pak magji dhe shumë punë e palodhur.”
Megjithëse raportet e Komisionit Europian janë larg së qeni letërsi apo zdrukthëtari, e njëjta logjikë vlen edhe për to. Përmbajtja e tyre synon gjetjen e një balance të drejtë mes pasqyrimit të realitetit në vendet që synojnë anëtarësimin dhe inkurajimit për të vijuar me procesin e reformave. Në të njëjtën kohë, për Komisionin Europian është e rëndësishme që të ruajë besueshmërinë në raport me taksapaguesit europianë, por edhe me qytetarët e vendeve që aspirojnë anëtarësimin në BE, aq më tepër kur dihet se për më shumë se dy dekada politika e zgjerimit, edhe pse pranohet gjerësisht si një prej politikave më të suksesshme të BE-së, nuk ka prodhuar rezultate të prekshme për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Për vetë mjedisin e sigurisë me të cilin përballet Europa, si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, dy vitet e fundit Komisioni Europian po përpiqet ta paraqesë zgjerimin si një mjet kyç gjeopolitik për BE-në për të bindur në radhë të parë vendet anëtare të BE-së, se përmes tij është e mundshme që t’u përgjigjet disa prej sfidave me të cilat përballet Europa. Nga ana tjetër, vendet anëtare i kanë krijuar mundësinë Komisionit Europian për të mbajtur gjallë shpresën e anëtarësimit, përmes akteve simbolike që pasqyrohen në njohjen e perspektivës së anëtarësimit për Ukrainën dhe Moldavinë, ritmin më të shpejtë të hapjes të kapitujve të bisedimeve me Shqipërinë, dhe mbylljen e disa kapitujve me Malin e Zi.
Në fjalimin për Gjendjen e Unionit të shtatorit të këtij viti, Presidentja e Komisionit Europian foli për “ribashkimin e ardhshëm të Europës” dhe përshkroi një BE të zgjeruar me Ballkanin Perëndimor, Ukrainën dhe Moldavinë si “një garanci sigurie për të gjithë ne”.
Për shkak të mjedisit gjeopolitik asgjësues BE-ja është në proces transformimi nga një komunitet që fillimisht kishte në fokus tregtinë dhe ekonominë, në një projekt gjeostrategjik. Nga një influencues i butë në ndërtimin e institucioneve demokratike në një ushtrues të pushtetit të fortë, duke vendosur theksin tek siguria, energjia, sanksionet e madje tek politikat industriale dhe autonomia strategjike.
Është e vërtetë se ky mjedis gjeopolitik ka hapur një dritare mundësie për zgjerimin e BE-së. Megjithatë, perspektiva e kësaj politike mbetet e paqartë. Nëse u referohemi vlerësimeve të Komisionit Europian në paketën e zgjerimit, anëtarësimi i vendeve të reja brenda mandatit të këtij Komisioni duket një mision tejet i vështirë. Pavarësisht optimizmit të zyrtarëve të lartë të Komisionit Europian për të ringjallur një proces të fjetur prej kohësh, dy vija të kuqe do të jenë të pakalueshme për vetë Komisionin në lidhje me progresin e vendeve kandidate drejt anëtarësimit në BE: linjëzimi gjeopolitik dhe reformat e qëndrueshme në lidhje me sundimin e së drejtës në ekonomi.
Thelbi, jo forma, për një shteg të ri
Në paketën e zgjerimit të këtij vihet re një përpjekje nga ana e Komisionit Europian për t’u shkëputur nga trashëgimia e hidhur e politikës së ‘mbylljes së syve’ përballë regresit demokratik në Serbi. Megjithëse e vonuar, kjo është një qasje që duhet përshëndetur. Megjithatë, po sipas vlerësimit të Komisionit Europian, fakti që Kosova, edhe pse nën masa të padrejta shtrënguese nga BE-ja dhe me aplikim për anëtarësim që ka vite që pret të shqyrtohet, sërish shënoi progres në shumë fusha, vendos në pikëpyetje efektivitetin e politikës së ndjekur deri tani nga BE-ja.
Prej kohësh kam argumentuar se BE-ja duhet të eksplorojë një shteg të ri në rajonin tonë, atë të rrethimit demokratik të Serbisë me histori suksesi. Mali i Zi dhe Shqipëria mund dhe duhet të hapin këtë shteg të ri, pasi nuk përballen me sfida të patejkalueshme. Dhe mbi të gjitha, natyra e çështjeve të pazgjidhura me fqinjët në BE është më pak e ndërlikuar, krahasuar me shtetet e tjera të rajonit. Mirëpo, që ky shteg të kthehet në një rrugë të pakthyeshme për anëtarësimin në BE, historitë e suksesit duhet të jenë të vërteta, reformat të qëndrueshme. Komisioni duhet të kthehet nga predikues në kërkues e nxitës i jetësimit të standardeve demokratike dhe vlerave europiane në rajonin tonë.
Për shembull, raporti i OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 në Shqipëri vizaton hartën e ndikimit të krimit, përdorimit të aseteve shtetërore, administratës publike dhe medias në zgjedhje. Ndërkohë që një raport i ngjashëm kritik i OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të vitit 2023 në Serbi, pengoi ecurinë e procesit të kësaj të fundit drejt BE-së, në rastin e Shqipërisë, Komisioni Europian duhet ta trajtojë me përparësi e vendosmëri reformën politike që ka lidhje funksionimin e të gjitha institucioneve, për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. Për të mos lejuar kësisoj që mungesa e një reforme të vërtetë të kthehet në pengesë për përmbushjen e standardeve që kanë lidhje me sundimin e së drejtës dhe funksionimin e institucioneve demokratike.
Po kështu, vlerësimet pozitive për punën e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nga ana e Komisionit Europian duhen shoqëruar me vlerësime konkrete përsa i përket impaktit në qeverisjen e mirë të vendit dhe raportit me integritetin e jetës publike dhe standardin që imponon procesi i anëtarësimit në BE. Efekti ndëshkues i strukturave të specializuara në luftën kundër pandëshkueshmërisë mbetet i kufizuar, përsa kohë elementët parandalues dhe korrektues varen kryesisht prej qeverisjes dhe adaptimit të praktikave që garantojnë integritetin e jetës publike dhe mirëadministrimin e buxhetit të shtetit.
Ndërkohë që drejtësia është përgjegjëse për identifikimin e përgjegjësisë penale të zyrtarëve të lartë apo të grupeve kriminale, qeverisja dhe organet e saj duhet të jenë diga që na mbron nga “përmbytjet” e korrupsionit e krimit.
Në rast se në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të mjaftohemi vetëm me punën e SPAK-ut, kam frikë se si ne ashtu dhe Komisioni Europian do të përsërisim gabimin që u bë me reformën në drejtësi, që më shumë u përqendrua në numrin e prokurorëve dhe gjyqtarëve që humbën vendin e punës si pasojë e procesit të verifikimit, sesa në elementët e tjerë që janë gjithaq të rëndësishëm për një sistem drejtësie efikas.
Krahas listimit të zyrtarëve të lartë apo grupeve kriminale që përballen me drejtësinë, jemi ende larg përqafimit të praktikave të mira e transparente qeverisëse që sigurojnë garë të ndershme në jetën publike dhe ekonomike. Sikundër, lufta ndaj krimit të organizuar dhe ndikimi i tij në jetën publike dhe ekonomike duhet të jetë përparësi e të gjitha strukturave të shtetit. Dhe madje përparësi shoqërore.
Linjëzimi gjeopolitik
Sikurse dihet, përtej një korpusi normash që duhen përmbushur, të njohura ndryshe si kriteret e Kopenhagenit, zgjerimi funksionon edhe si një mjet politik. Nëse analizojmë historikun e zgjerimit të BE-së, do të arrijmë në përfundimin se vendimet shpesh janë nxitur nga konsiderata gjeopolitike dhe normative, më shumë sesa nga përmbushja e pastër e kritereve të BE-së. Për shembull, anëtarësimi i Greqisë, Spanjës dhe Portugalisë në vitet ’80, apo zgjerimi i madh i viteve 2004 dhe 2007 u motivuan kryesisht nga ndryshimet gjeopolitike dhe aspiratat për të mbështetur tranzicionin demokratik.
Edhe pse arsyet e situatës së tanishme gjeopolitike janë të ndryshme nga ato të mësipërmet, sërish jemi në një udhëkryq ku përplasen nevoja e BE-së për t’u pozicionuar si një aktore me peshë globale përkundrejt aktorëve të tjerë, me vetë thelbin e procesit të zgjerimit, i cili bazohet në meritën individuale të secilit shtet duke siguruar transformim demokratik dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
Këtë vit Komisioni Europian e theksoi edhe më fort se linjëzimi gjeopolitik me BE-në është i një rëndësie strategjike, për shkak të mjedisit gjeopolitik. Madje Komisionerja e Zgjerimit paralajmëroi se në BE nuk janë të mirëpritur “kuajt e Trojës”, një aludim ky për pozicionin që ka Serbia në raport me Rusinë.
Në pamje të parë duket sikur linjëzimi gjeopolitik me BE-në është një proces i jashtëm që nuk ka të bëjë me zhvillimet e politikës së brendshme. Në fakt nuk është kështu. Një nga gjërat që kam përjetuar nga eksperienca ime si në politikë ashtu edhe në politikën e jashtme është se gjithmonë ka pasur një kufi artificial midis të dyjave. Ndërsa sot ky kufi nuk ekziston. Sepse mënyra se si qeverisen vendet projektohet edhe përmes politikës të jashtme që ato ndjekin. Politika e jashtme është një pasqyrim mjaft i saktë i psikikës së kombit dhe asaj që ndodh në trupin politik në një moment të caktuar.
Arsyetimet e Serbisë që përpiqet të gjejë raste të ngjashme brenda BE-së për të justifikuar mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë nuk qëndrojnë. Sikundër pozicioni i çuditshëm i Shqipërisë, që i kërkonte publikisht BE-së “të mos ushtronte presion ndaj Serbisë për t’iu bashkuar sanksioneve ndaj Rusisë”, rezultoi i gabuar. Pasi BE-ja nuk ka asnjë arsye të tolerojë braktisjen e parimeve që e mbajnë në këmbë atë, sidomos në kushtet që imponon mjedisi i sigurisë në Europë.
Dilemat që kërkojnë përgjigje
Paqartësia e të ardhmes së procesit të zgjerimit nuk vjen vetëm për shkak të stadit të reformave dhe linjëzimit gjeopolitik në vendet që synojnë anëtarësimin, por para së gjithash nga vetë vendet anëtare të BE-së. Për shkak të dilemave të tyre, që edhe pse besojnë se zgjerimi dhe konsolidimi i projektit europian është i nevojshëm dhe i pashmangshëm, nuk janë ende gati për të mbështetur një plan të qartë anëtarësimi, të shoqëruar me veprime të dyanshme, është lehtësisht e kuptueshme se përse Komisioni Europian nuk paraqiti javën e shkuar raportin e shumëpritur të para-anëtarësimit. Ky raport do të përcaktojë drejtimet dhe reformat kryesore që BE-ja duhet të ndërmarrë për t’u përgatitur për zgjerimin.
Është e qartë se një BE e zgjeruar do të nxiste një ripërcaktim të linjave më të mëdha buxhetore, ndryshime në politikën bujqësore dhe atë të kohezionit social, procesit të vendimmarrjes dhe mbi të gjitha do të ndryshonte kufijtë e saj. Nëse në Ballkanin Perëndimor, më shumë se sa për zgjerim të BE-së bëhet fjalë për konsolidim të saj, pasi vendet e rajonit tonë rrethohen nga ato të BE-së, në rastin e Ukrainës dhe Moldavisë, për shkak të fqinjësisë me Rusinë, luftës që vazhdon dhe faktit që një pjesë të territoreve të tyre janë nën pushtimin rus, situata bëhet më e ndërlikuar.
Ndërkohë që sfidat mbeten BE-ja duhet t’u ofrojë kandidatëve të saj një perspektivë të besueshme anëtarësimi, përtej optimizmit të zyrtarëve të lartë europianë. BE-së i duhet të mposhtë frikën që karakterizon një pjesë të vendeve anëtare ndaj një BE-je me 30 apo 33 anëtarë, përsa i përket vendimmarrjes dhe funksionimit. Asaj i duhet të korrigjojë përmes veprimesh konkrete ndjenjën e poshtërimit që vihet re tek disa vende që edhe pse kanë përparuar me reformat nuk janë shpërblyer në këtë proces. Dhe sigurisht BE-ja duhet të ngjallë shpresë dhe optimizëm popullor që buron nga ndërtimi i një të ardhmeje më të mirë dhe përqendrimi tek transformimi demokratik dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik.
and then