
Goli i Rey Manaj shkaktoi kaos në Serbi, tronditi në themel ekipin përfaqësues, Federatën dhe të gjithë ambientin. Në letër, ai gol praktikisht i nxori edhe jashtë Botërorit, pasi Serbia e sheh veten në vendin e 3-të dy ndeshje përpara fundit, i duhet më shumë se një mrekulli për të qëndruar në lojë. Më saktë, pikësëpari i duhet të fitojnë në “Wembley” ndaj Anglisë, një mision thuajse i pamundur, në një kohë kur “Tre Luanët” janë perfekt në këtë fushatë kualifikuese dhe i shkaktuan një humbje me “manita” brenda në Beograd.
Më 13 nëntor, Serbia udhëton drejt Londrës me një trajner të ri dhe me besim se mund të dalin me 3 pikë, fakt që pranon edhe Pavlovic, mbrojtësi i Milan: “Padyshim nuk është e lehtë, është më mirë kur ke gjithçka në duart tuaja. Megjithatë, shanset ekzistojnë. Ne shpresojmë të fitojmë të dy ndeshjet dhe të mos bëjmë llogari. Është e vështirë, por për sa kohë ekzistojnë mundësitë, di t’i luajmë. Të shkojmë në “Wembley” me motivim maksimal, të bëjmë më të mirën për të mundur rivalin tonë të madh, nëse nuk ia dalim, t’i japim dorën dhe të vazhdojmë përpara”, u shpreh Pavlovic duke shtuar:
“Askush nga ne nuk do të ishte këtu tani nëse nuk do të besonim se mund të fitojmë ndaj Anglisë. Unë nuk kam takuar ende një futbollist i cili nuk beson se mund të mposhtë çdo kundërshtar, ne besojmë dhe do të shkojmë në Londër për të dhënë 100% të mundësive tona”, theksoi ndër të tjera mbrojtësi i Serbisë. Me 10 pikë në 6 ndeshje, Serbia renditet në vendin e 3-të në Grupin K, një pikë më pak se Shqipëria.
()
and then