Veliaj drejton punët e bashkisë nga qelia/ Alimehmeti: Situata zgjidhet vetëm politikisht! Osmani: Ngërçi do vijojë deri kur…

Çështja e drejtimit të Bashkisë së Tiranës pas qëndrimti në qeli të kryebashkiakut Erion Veliaj ka qenë në qendër të debatit në studion e News24.

Të ftuar në emision ishin anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Ilir Alimehmeti, dhe analisti Afrim Osmani, të cilët ndanë qëndrimet e tyre mbi krizën politike dhe institucionale në kryeqytet.

Gjatë diskutimit, Ilir Alimehmeti deklaroi se Tirana është “e zaptuar” nga eksponentë të Partisë Socialiste, duke e cilësuar situatën si produkt të abuzimeve dhe paaftësisë së qeverisjes lokale.

“Tirana është e zaptuar për lojërat abuzuese të eksponentëve të PS. Këta, me problematikat që kanë krijuar vetë, kanë sjellë këtë situatë. Sot për sot, sa kohë palët mbajnë qëndrimet e tyre, qytetarët mbeten peng,” tha Alimehmeti.

Nga ana tjetër, Afrim Osmani theksoi se Erion Veliaj nuk mund të fshihet pas debatit politik me partinë, duke shtuar se një zgjidhje ligjore për këtë situatë do të gjendet së shpejti.

“Veliaj nuk mund të fshihet pas debatit me partinë. Mendoj se ky ngërç nuk do të zgjasë shumë. Kryeministri do të gjejë një zgjidhje ligjore, sepse Tirana nuk mund të tërhiqet zvarrë,” u shpreh Osmani.

Në vijim, Alimehmeti theksoi se zgjidhja për Tiranën duhet të jetë politike, duke nënvizuar se zgjedhjet janë rruga e vetme për të rikthyer legjitimitetin në kryeqytet.

“Zgjidhja është politike, nuk ka tjetër rrugë. Kryeministri e ka shkarkuar Veliajn edhe nga posti i kreut të Shoqatës së Bashkive, duke treguar se e ka larguar politikisht. Ata u frikësuan nga rezultati i Tiranës dhe bënë gjithçka për ta shtyrë. Tirana është udhëheqëse për gjithë bashkitë,” tha ai.

Alimehmeti rikujtoi gjithashtu se opozita ka mbështetur Florjan Binajn si kandidat të pavarur për drejtimin e Bashkisë Tiranë, duke e konsideruar këtë si një alternativë reale për ndryshim.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×