Afera e tunelit të Llogarasë/ Pamela Qirko hapi NIPT-in në QKB një ditë para se të shfaqej si avokate e motrës së saj Belinda Balluku në SPAK. Çfarë zbuloi Vetting

Emisioni investigativ Vetting, News24

Më 30 tetor 2025, Pamela Qirko ish-anëtare dhe kryetare e njërit prej institucioneve të Vettingut, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit do të hapte niptin për një biznes pa objekt veprimtarie si person fizik, gjë e cila është pothuajse e pamundur në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Në rolin e anëtares të KPK-së, znj. Qirko ka bërë kontrollin e pastërtisë së figurës të prokurorëve dhe gjykatësve për llogari të reformës në drejtësi, duke shkarkuar shumë nga magjistratët për shkak të shkeljeve, por edhe duke i rënë çekiçit të drejtësisë për të katapultuar më të mirët drejt SPAK-ut dhe Gjykatës së Posaçme Kundra Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në fakt, këtu lind edhe kontradikta sepse një ditë më pas, në 31 tetor 2025 Pamela Qirko sipas burimeve mediatike do të paraqitej në Prokurorinë e Posaçme si avokate e motrës së saj zv.kryeministres Belinda Balluku.

Ky veprim, si avokate mund të përbëjë një shkelje të rëndë ligjore. Në këtë rast gjendemi përballë një konflikti të mundshëm interesi sepse znj. Qirko ka bërë vettingun e prokurorit Dritan Prençi si anëtare e  Komisionit të Pavarur të Kualifikimit së bashku me kryetare Genta Bungon (Tafa) dhe relatore Suela Zhegun. Zoti Prençi është prokurori që po heton zv.kryeministren Balluku dhe vartësit e saj për aferën e tunelit të Llogarasë me vlerë 200 milionë euro me tvsh.

Screenshot 13
Screenshot 13

Pra, personi që i ka bërë vettingun prokurorit që po heton motrën e saj, do të jetë i njëjti që do ta mbrojë atë përballë atij që ka ngritur akuza. Ngelet mister nëse kjo është një formë presioni ndaj prokurorit dhe SPAK-ut, por është e qartë se i gjithë ky proces hetimor, po përpiqet të dëmtohet për të goditur besueshmërinë e vet organit të akuzës.

Në pamje të parë ky detaj i vogël është nyja që lidh të gjithë çështjen e aferës së tunelit të Llogarasë pasi në rastin e Ballukut nuk ka një masë shtrëngimi, e cila të jetë kërkuar nga SPAK-u dhe të jetë miratuar nga Gjykata e Posaçme.

Ky është një shqetësim që është ngritur edhe nga partia opozitare, konkretisht nga deputeti dhe nënkryetari i partisë “Mundësia” Erald Kapri.

“Imagjinoni që Prokuroria të kërkojë dëshmitarë. Do kenë mundësi ata të flasin sa kohë zv.kryeministrja Balluku është në pushtet dhe për sa kohë ajo menaxhon miliarda euro në pushtet? Madje është drejtuese e ministrisë më të madhë në vend.”, tha për “Vetting” deputeti Kapri.

Madje sipas avokatit Leonard Karaj, në aferën e projektit të Llogarasë kemi të bëjmë me korrupsion të pastër pasiv.

”Në rastin konkret të këtyre zyrtarëve, hetimet me çështjen nuk mund të ngelen këtu. Në qoftë se SPAK ka çuar sot në grup të strukturuar kriminal ish ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqjan, zëvendësit e tij dhe biznesmenin që vinte nga Italia për të bërë tenderin e sterilizimit në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, atëhere i njëjti standart duhet aplikuar edhe për rastin konkret. Në rastin e tunelit të Llogarasë ke të paktën 6 veta dhe Komisionin e Vlerësimit të Ofertave dhe janë të gjitha kushtet për ta hetuar si grup të strukturuar kriminal”, tha për “Vetting” avokati Leonard Karaj.

Afera me tunelin e Llogarasë është denoncuar nga emisioni “Vetting” në 18 prill 2024, përpara se Partia Demokratike të bënte kallëzimin penal për këtë tender.

Në artikullin e sotëm, “Vetting” do të ndërthurë elementët e rinj të dosjes së prokurorisë me denoncimin e hershëm, duke nxjerrë për herë të parë një element që është anashkaluar gjithmonë nga SPAK-u dhe Gjykata e Posaçme Kundra Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, shkeljet me buxhetin e shtetit.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×