“Fazë e mrekullueshme”, Sylvinho: Nuk kam bërë llogari, ta shijojmë

Për herë të parë në histori, Shqipëria siguroi jo vetëm një vend në fazën “play-off” të një Botërori, por për herë të parë arriti edhe 5 fitore radhazi, një arritje dhe një sukses i jashtëzakonshëm që kënaq trajnerin Sylvinho. Në konferencë për shtyp, pas suksesit 1-0 ndaj Andorrës, Sylvinho i kushtoi këtë arritje tifozëve kuqezi në të gjithë botën:

“Ja dolëm, frazë e mrekullueshme. Kjo shkon për të gjithë shqiptarët në botë. Jam krenar për lojtarët. 9 milionë tifozë shqiptarë që mund të jenë kudo, jam realisht shumë i lumtur”

Me kualifikimin në xhep për në fazën “play-off”, Sylvinho theksoi se do të fillojnë të bëjnë llogari menjëherë pas ndeshjes kundër Anglisë:

“Deri më tani nuk kam menduar për kundërshtarët potencialë për “play-off”, as nuk e kam parë klasifikimin e ekipeve, tani do fillojmë të analizojmë atë pjesë, kanë qenë 2-3 ditë të vështira pune për të ekuilibruar më tepër ekipin, e kam thënë edhe më përpara që Andorra është një ekip që mbrohet mirë dhe pëson pak gola, tani do të fillojmë të mendojmë për hapat e ardhshëm. Por është momenti që ta shijojmë këtë”

Anglia mund të jetë një test për të kuptuar se çfarë në pret në “play-off”, por nuk e sheh në këtë mënyrë trajneri Sylvinho:

“Nuk ka lidhje fare Anglia në këtë pjesë, Anglia është një nga favoritet për të fituar Botërorin, së bashku me ekipet e tjera si Spanja, Brazili, Gjermania apo Argjentina. Më pëlqen shumë trajneri që ka, e studion shumë mirë kundërshtarin. Futbolli ka ndryshuar dhe tashmë analizohen në një mënyrë ndryshe ndeshjet, tashmë shikohen hapësirat ku mund ta dëmtosh kundërshtarin. Anglia nuk është referencë për ne në “play-off”, por është favorite për të fituar Botërorin”



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×