“Nuk e kam një bir politik që të më vrasë”, Rama: Veliaj do të jetë kryetar bashkie deri në 2027. Hetimet për Ballukun? Drejtësia ka punën e vet…

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Erion Veliaj do të jetë kryetar i Bashkisë së Tiranës deri në fund të mandatit të tij. Gjykata Kushtetuese e riktheu Veliajn në detyrë duke rrëzuar vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës i cili në 23 shtator e shkarkoi, ndërsa 2 ditë më pas u firmos edhe nga Këshilli i Ministrave.

Ndërkohë, në një intervistë, Rama theksoi se nëse do të kthehej pas në kohë të kishte marrë gjithnjë të njëjtin vendim për shkarkimin e Veliajt, pasi Tirana nuk mund të lihet pa kokë.

“Raporti im njerëzor me Veliajn është më i fortë se ç’ka qenë nga ana ime. Dhe kur them nga ana e ike e theksoj sepse nuk është një raport që ka komunikim për shkak të pozicionit ku ndodhet ai. Nga ana njerëzore përveçse ç’ka qenë më parë është shtuar edhe një keqardhje e thellë për atë që po jeton. Nuk po shtoj asgjë më shumë sepse s’dua që të përdoren më pas. Për mua padrejtësisht ai po mbahet peng në qeli dhe me ato që kam dëgjuar dhe ai mund të hetohej në gjendje të lirë dhe mund të drejtonte Tiranën. Në aspektin njerëzor unë ndjek keqardhje. Në aspektin e politik ajo që thashë në asamblenë e PS dhe ajo që bëmë do ta bëja sërish nëse kthehesha mbrapa. Pra Erioni të largohej nga ajo detyrë që nuk mund ta ushtronte dhe që Tiranë të mos mbetej pa kokë. Të tjerat janë gjepura dhe dokrra të ekraneve politike dhe nuk i komentoj. Shkarkimi? Është gjeja më e padrejtë që po i bëhet Tiranës. Nga njëra anë ajo mbetet pa kokë dhe nga ana tjetër kryetari zgjedhur mbahet peng. Nga ana tjetër nevoja e qytetit është gjithnjë e më alarmante. Kjo duket. Qyteti nuk mund të drejtohet me delegim dhe telekomandë. Urdhri i Veliajt për dekorimin. Këto janë shenjat e një anomalie të madhe. Lajmi aty duhet të ishte që nuk e paskam kapur unë Gjykatën Kushtetuese. Është e drejta e saj që të marrë vendime që i takojnë asaj t’i marrë. A do ketë zgjedhje. Nuk mund të shkojmë kundër një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Veliaj do të jetë kryetar bashkie deri në 2027-ën” – tha Rama.

Rama u pyet edhe për çështjen ndaj Belinda Ballukut në SPAK. Ai shmangu komentet duke deklaruar se nuk ka asgjë për të thënë për punën e SPAK.

“Si tha Loro Boriçi? Shiu ka punën e vet ne punën tonë. SPAK ka punën e vet, ne punën tonë. Nuk kam më asnjë koment. Jetojmë në një sistem ku PS dhe askush tjetër me mua në krye i kemi njohur pavarësinë e plotë drejtësisë. Njëlloj siç janë tërhequr një herë e një kohë njësitë koloniale nga territoret e tyre, jemi tërhequr edhe ne nga sistemi i drejtësisë” – tha Rama.

Pjesë nga intervista

Pyetje: t’i rikthehemi ditës së Halloween, 31 tetorit. Tre ngjarje që ndodhën në një ditë, pastaj rastësitë, ne si gazetarë nuk besojmë te rastësitë, një vendim i Gjykatës Kushtetuese që rikthen Erion Veliaj, në postin e kryetarit të Bashkisë, SPAK që merr në hetim zv.kryeministren, dhe pak orë më vonë vdes Fatos Nano

Edi Rama: Nuk besoj se një dorë e padukshme i ka bashkuar këto të treja bashkë, ka ditë që janë me ngjarje, ka javë të tëra që nuk ka ngjarje, kështuqë, nuk i shoh të lidhura me njëra tjetrën këto. Por nëse I marrim të treja me radhë, të treja kanë domethënien e tyre sipas meje.

Pyetje: I marrim me radhë.
Edi Rama: Domethënia e parë, e lidhur me të parë është që një njeri i rëndësishëmi jetës publike shqiptare, për vite të tëra u nda nga jeta edhe la pas një kujtim pozitiv, mendoj. Madje ishte edhe disi e neveritshme të shikojë që ata të cilët e torturuan e burgosën e përndoqën me fjalët më të egra të shqipes për vite të tëra, pa pritur e pakujtuar e mirëtrajtuan dhe i dhanë atë që, uroj më në fund ta besojnë, por nëse e besojnë duhet t’i kërkonin falje dhe të bënin një shfaqje pendese publike për çfarë i kanë bërë në të gjallë.

Pyetje: Më lejoni para se të kalojmë te pikat e tjera. Në fjalimin tuaj e pranuat se ai kishte qenë babai juaj politik, sic edhe pranuat që ju ishit i biri që politikisht vrau babain për t’i zënë atij vendin
Edi Rama: Këtë e kam thënë edhe herë të tjera.

Pyetje: Pyetja ime është që tani që ju jeni kryetar i PS që prej 25 tetorit 2005, kam patur fatin t’ju bëj intervistën e parë atëherë menjëherë pas kongresit, pra pas 20 vitesh ju jeni babai politik i PS-së…
Edi Rama: S’e kam një bir që të më ‘vrasë’ për momentin.

Pyetje: Keni apo s’keni
Edi Rama: Jo s’e kam një bir politik që të më vrasë për momentin flas.

Pyetje: Pse ku është?
Edi Rama: S’e kam…

Pyetje: Pra, sepse këtu futemi pastaj në teori konspirative të ekraneve por edhe jo vetëm lidhur me raportin tuaj me Erionin, i cili të gjithë e dimë që ka qenë raport shumë i afërt, por së paku nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese e deri tani janë shtuar pikëpyetjet nëse keni më, pavarëisht kushteve në të cilat ai ndodhet. Ju keni një raport me Erion Veliajn?
Edi Rama: Raporti im njerëzor sot me Erionin është më i fortë sot seç ka qenë, që të jemi të qartë, nga ana ime.

Pyetje: Po nga ana e tij?
Edi Rama: Jo, dhe kur them nga ana ime, e theksoj sepse nuk është një raport që ka komunikim për shkak të pozicionit në të cilin ndodhet ai. Kështu që, nga ana njerëzore përveç se çfarë ka qenë më parë, është shtuar edhe një keqardhje e thellë për atë që ai po përjeton dhe nuk po hy këtu të komentoj asgjë më shumë sepse nuk dua të merren më pas fjalët edhe të përdoren apo keqpërdoren si komente që kanë të bëjnë me drejtësinë se nuk dua të hy në të.

Pyetje: Jo po pa hyrë te drejtësia…
Edi Rama: Po them pra, që kam një keqardhje shumë të thellë për atë që ai po përjeton dhe për mua padrejtësisht ai po mbahet peng në qeli. Ndërkohë që më çfarë unë kam dëgjuar, me çfarë unë kam arritur të kuptoj, mbase s’i kam dëgjuar të gjitha, s’i kam kuptuar të gjitha, po cfarë është bërë publike, dhe cfarë është bërë publike ai fare mirë mund të hetohej në gjendje të lirë dhe mund të vazhdonte të drejtonte Tiranë. Kështu që, në aspektin njerëzor, unë ndjej keqardhje të thellë për atë që po përjeton. Në aspektin e përgjegjësisë politike dhe publike që unë kam, ajo që thashë në asamblenë e partisë dhe ajo që ne bëmë është diçka që do ta bëja përsëri nëse do kthehesha mbrapa. Pra, që Erioni të largohej nga ajo detyrë që është në pamundësi për ta kryer, sepse këtë tha edhe Gjykata Kushtetuese dhe që Tirana të mos mbetet pa kokë, shumë e thjestë. Tani të gjitha të tjerat janë dokrra, janë teorira, muhabete të klubeve mediatike të klubeve politike që mua realisht nuk më interesojnë fare dhe as nuk i marr përsipër që t’i komentoj.

Pyetje: Pyetja ime është shumë e thjeshtë do të tentoni sërish ta shkarkoni z.Veliaj nga kryetari i Bashkisë?
Edi Rama
: Po nuk do shkojmë t’i biem murit me kokë. Se të shkosh kundër një vendimi që ka marrë Gjykata Kushtetuese apo cila do gjykatë është të shkosh t’i biesh murit me kokë edhe praktikisht të hysh në konflikt me sistemin që ke zgjedhur që është sistemi demokratik dhe unë nuk mund të hy në konflikt me zgjedhjen strategjike dhe historike që kam bërë dhe kemi bërë si PS që i kemi dhënë pavarësinë e plotë drejtësië.

Pyetje: Pra Erion Veliaj do të qëndrojë kryetar i Bashkisë deri në 2027?
Edi Rama: Po nëse nuk ka mundësi për t’u shkarkuar si do ndodhë..

Pyetje: Po nëse nuk e thatë ju kush do e thotë tjetër…
Edi Rama: Po e ka thënë Gjykatata Kushtetuese pra.

Pyetje Që Erion Veliaj qëndron kryetar i Bashkisë deri në 2027?
Edi Rama: Ai nuk mund të shkarkohet. Kaq, është shumë e thjeshtë.

Pyetje: Pra, do vijojë të qëndrojë kryetar i Bashkisë deri në 2027?
Edi Rama: Po ç’do bëjmë?



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×