
Rënia e normave të interesit po ul fitimet e sektorit bankar për këtë vit.
Të dhënat e paaudituara të bankave tregtare, sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS), të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, tregojnë se fitimi neto i sektorit për 9-mujorin 2025 kishte vlerën e 26 miliardë lekëve, në rënie me 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ulja e normave bazë nga bankat qendrore, që filloi qysh vitin e kaluar, është reflektuar në kthimet prej instrumenteve financiare.
Treguesi kryesor benchmark për Euron, Euribori 12-mujor, në fund të 9-mujorit 2025 ishte pranë nivelit të 2.2%, nga 2.75% që kishte qenë një vit më parë.
Ndërsa yield-i mesatar i bonove 12-mujore në Lekë ka rënë në 2.57%, nga 3.11% që kishte qenë një vit më parë. Rënia e treguesve benchmark përcillet më tej edhe në normat e kredive me norma të ndryshueshme interesi të bankave tregtare, që përbëjnë edhe pjesën dërrmuese të portofolit të tyre.
Efekt i rënies së normave të interesit në vlerat e fitimeve është i dukshëm për pothuajse të gjitha bankat e sektorit. Nga 11 banka në treg, nëntë raportojnë ulje të fitimeve krahasuar me një vit më parë. Madje, dy prej tyre e kanë mbyllur 9-mujorin e parë me humbje.
Vetëm dy banka (Banka Amerikane e Investimeve dhe Banka e Parë e Investimeve Shqipëri) kanë arritur fitime më të larta krahasuar me 9-mujorin e parë të vitit të kaluar.
Banka më e madhe në vend, Banka Kombëtare Tregtare kryeson renditjen e fitimeve, me një rezultat neto prej 3.87 miliardë lekësh. BKT raporton një rënie të rezultatit financiar, me 8% më pak krahasuar me 9-mujorin e parë të vitit 2024.
Raiffeisen Bank renditet e dyta, me një rezultat neto në vlerën e 6.12 miliardë lekëve, por në rënie me 4% krahasuar me 9-mujorin e parë të vitit të kaluar.
Vijon, OTP Albania, me 3.63 miliardë lekë (7% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë); Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank), me 2.75 miliardë lekë (14% më shumë krahasuar me një vit më parë); Intesa Sanpaolo, me 2.28 miliardë lekë (14% më pak krahasuar me 9-mujorin 2024); Tirana Bank, me 2.08 miliardë lekë (pothuajse në të njëjtën nivel të një viti më parë); Credins Bank, me 1.26 miliardë lekë (11% më pak krahasuar me një vit më parë); Banka e Parë e Investimeve (Fibank), me 1.12 miliardë lekë (33% më shumë krahasuar me një vit më parë), Union Bank, me 1.04 miliardë lekë (24% më pak krahasuar me një vit më parë).
ProCredit Bank e ka mbyllur 9-mujorin me humbje në vlerën e 54 milionë lekëve, (kundrejt një fitimi 147 milionë lekë një vit më parë), ndërsa Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA) raporton humbje në vlerën e 390 milionë lekëve, ndërsa një vit më parë raportonte fitim neto për 167 milionë lekë. Megjithatë, raportimet e UBA në të dyja rastet janë bërë sipas standardeve lokale të mbikëqyrjes, të Bankës së Shqipërisë dhe jo sipas IFRS-ve.
Për sa i takon kthimit nga kapitali aksionar, renditja kryesohet nga ABI Bank, me 29.49% (30.95% një vit më parë), e ndjekur nga Raiffeisen Bank, me 25.65% (29.67% një vit më parë); Fibank, me 22.12% (19.19% një vit më parë); OTP Albania, me 17.9% (23.93% një vit më parë); Tirana Bank, me 16.92% (21.2% një vit më parë); BKT, me 16.18% (19% një vit më parë); Union Bank, me 14.91% (23.56% një vit më parë); Intesa Sanpaolo, me 13.14% (14.45% një vit më parë); Credins Bank, me 6.74% (8.95% një vit më parë; ProCredit Bank, me -1.56% (4.59% një vit më parë) dhe UBA, me -20.29% (7.38% një vit më parë)./ Monitor.al

and then