SPAK merr të pandehur kryetaren e Bashkisë Roskovec/ BIRN: Majlinda Bufi i ushtroi presion një votuesi të opozitës në zgjedhjet e vitit 2023

Prokuroria e Posaçme përfundoi hetimet në ngarkim të kryebashkiakes Majlinda Bufi, duke e marrë atë të pandehur për presionin e ushtruar ndaj një votuesi të opozitës në zgjedhjet e vitit 2023.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të premten më 14 nëntor përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të çështjes penale në ngarkim të kryetares së Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi, e marrë e pandehur për veprën penale, “Përdorim i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.

Sipas prokurorisë, nga hetimet rezulton se e pandehura Majlinda Bufi, në detyrën e kryetares së Bashkisë Roskovec, në kundërshtim me ligjin, i ka kërkuar shtetasit me inicialet G.B. që të mos merrte pjesë në votimet për zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023, si dhe të mos përfshihej në veprimtaritë zgjedhore të partive të tjera politike. Bufi u rikonfirmua si kryetare e Bashkisë Roskovec në këto zgjedhje vendore.

SPAK i është referuar publikimit në media të një audio regjistrimi për të filluar hetimin. Transkripti i këtij regjistrimi tregon se kryebashkiakja Majlinda Bufi ështe revoltuar nga shtetasi G.B, i cili ishte përfitues nga një program social i Bashkisë Roskovec, që kishte si objekt përmirësimin e kushteve të banimit për familjet e varfëra e të pafavorizuara, të miratuar nga këshilli kësaj njësie vendore një vit para zgjedheve vendore të 2023-it.

Nga hetimi ka rezultuar se para takimit të regjistruar me kryetaren e Bashkisë, Majlinda Bufi, përpara zgjedhjeve të atëhershme, në banesën e shtetasit G.B kishin shkuar punonjësit e IMT-së, të cilët i kanë kërkuar llogari për punimet e kryera dhe ndalimin e vazhdimit të tyre.

Më pas, shtetasi, G.B ka zhvilluar takimin në ambientet e bashkisë me Bufin, ku atij i është ushtruar presion duke iu përmendur se punimet ishin në tejlkalim të ndihmës dhe se kishte kryer ndërtim pa leje. Ndër të tjera, në këtë takim e pandehura i ka përmendur faktin se ai kishte dërguar mesazhe ku flitej për fitore të kandidatit të opozitës.

“E pandehura Majlinda Bufi me pretendimin për të ‘shpëtuar’ shtetasin G.B nga kjo situatë paligjshmërie, ku pretendohej se ai ndodhej, i ka kërkuar: ‘që nga ky moment e derisa të mbarojnë zgjedhjet të mos hapë gojë, të mos flasë as ai as familja e tij, por të shikojë punën e tij, të rrijë në shtëpinë e tij dhe të mos shkojë fare të votojë në zgjedhjet e datës 14 Maj 2023′”, shpjegon SPAK dhe çmon se kërkesa e Bufit është bërë përmes kërcënimit të masave administrative dhe kundër vullnetit të shtetasit G.B../ BIRN



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×