
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një bashkëbisedim me qytetarët në Facebook, ku komentoi protestën e paralajmëruar të opozitës, si dhe çështje të brendshme të PD.
Gjatë komunikimit, Berisha sqaroi se tubimi i radhës nuk do të zhvillohet para Ministrisë së Infrastrukturës, por para Kryeministrisë, duke theksuar se protesta ka në shënjestër kryeministrin Edi Rama.
“Parlamenti i deputetëve dhe qytetarëve të opozitës nuk është thirrur para ministrisë së Luljeta Ballukut, por para Kryeministrisë. Nuk është protestë e veçantë kundër Ballukut,” u shpreh Berisha, duke shtuar se, sipas tij, “nuk ka hajdut më të madh në këtë histori se Edi Rama”.
Në vijim, ai komentoi edhe investigimet dhe debatet mbi tunelin e Llogarasë, ku akuzoi se ministrja Balluku “ka vepruar me kërkesë të Ramës”. Berisha nënvizoi se përgjegjësitë në këtë projekt, sipas tij, i takojnë kryeministrit.
I pyetur nga ndjekësit për analizën e brendshme në Partinë Demokratike pas zgjedhjeve të fundit, Berisha deklaroi se procesi është i vonuar, por do të nisë së shpejti. Ai shtoi se pas përfundimit të zgjedhjeve, selia blu është fokusuar kryesisht te “denoncimi i farsës elektorale”, duke komunikuar çdo ditë me publikun.
Protesta e opozitës pritet të mbahet në ditët në vijim, dhe Berisha theksoi se tubimi ka për qëllim “të denoncojë përgjegjësitë e qeverisë” për çështje që, sipas tij, prekin interesin publik.
and then