“Studentët, ambasadorët tanë në botë”! Mesazhi i Presidentes së Universitetit “Luarasi”, Fabiola Hysenbelliu në ceremoninë e diplomimit: Mos ndaloni së mësuari. Vijoni të krijoni e guxoni!

Në ceremoninë e diplomimit të Universitetit “Luarasi”, Presidentja Fabiola Hysenbelliu mbajti një fjalë motivuese për të diplomuarit, duke e cilësuar këtë ditë si një moment të veçantë jo vetëm për studentët, por edhe për stafin akademik.

Ajo theksoi se të diplomuarit po mbyllin një kapitull të rëndësishëm, ndërsa hapin dyert drejt mundësive dhe sfidave të reja, të pajisur me njohuri, aftësi dhe vlera që universiteti u ka dhënë ndër vite.

Hysenbelliu u ndal te roli i familjarëve, pedagogëve dhe stafit të universitetit në këtë rrugëtim, duke i falënderuar për mbështetjen dhe përkushtimin e tyre.

Në mesazhin e saj, ajo i inkurajoi studentët të mos ndalen së mësuari, të guxojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen me integritet, duke i quajtur ambasadorë të vlerave të “Luarasit” në botë.

Presidentja e Universitetit “Luarasi”, Fabiola Hysenbelliu njoftoi gjithashtu mundësinë që të diplomuarit të aplikojnë vitin e ardhshëm për një master ekzekutiv në London School of Economics, falë partneritetit të ri mes LSE dhe “Luarasit”.

Fjala e Presidentes së Universitetit “Luarasi”, Fabiola Hysenbelliu

Një ditë shumë e bukur, plot diell, ashtu siç jeni ju të gjithë sot.

Sot është një ditë që mbart emocion të veçantë për të gjithë ne, edhe për ne stafin këtu.

Për mua si Presidente e Universitetit është një privilegj i madh të jem para jush në këtë ditë kaq domethënëse.

Të dashur të diplomuar, ju sot mbyllni një kapitull të rëndësishëm të jetës tuaj. Por njëherazi hapni dyert drejt mundësive të reja, sfidave të reja dhe horizonteve më të gjëra.

Gjatë qëndrimit tuaj në këtë Universitet keni fituar jo vetëm njohuri akademike, por edhe përvojë, mundësi, vlera dhe aftësi që do t’ju shoqërojnë në çdo hap të së ardhmes.

Keni mësuar të mendoni kritikisht, të zgjidhni probleme, të punoni në ekip dhe mbi të gjitha të mos hiqni dorë përballë vështirësive. Këto cilësi janë po aq të vlefshme sa vetë diploma që do të merrni sot.

Asnjëri prej jush nuk ka ecur vetëm në këtë rrugëtim, sot një pjesë e meritës i takon edhe prindërve e familjarëve tuaj dhe për këtë doja një duartrokitje. Të cilët ju kanë mvbështeëtur nnë çdo hap, profesorët që kanë besuar tek ju dhe ju kanë udhëhequr me një përkushtim. Një tjetër duartrokitje për ju. Stafit të universitetit që kanë punuar çdo ditë për të krijuar një mjedis të shëndetshëm akademik.

Të gjithë meritojnë mirënjohjen tonë më të thellë!

Të dashur të diplomuar, bota që po hyni është dinamike sot, shpesh sfiduese por me plot mundësi për këdo që është i gatshëm të guxojë dhe të angazhohet.

Pavarësisht rrugës që zgjidhni, qoftë studimet e mëtejshme, një karrierë profesionale apo ndërmarrje personale, mos harroni që suksesi ndërtohet me integritet, këmbëngulje dhe pasion. Ju jeni ambasadorët tonë në të gjithë botën, kudo që do të shkoni mbani me vete vlerat e këtij universiteti, kërkimin e së vërtetës, respektin, bashkëpunimin dhe besimin potencial njerëzor.

Ju nxis të mos ndaleni së mësuari, të vazhdoni të kërkoni, të krijoni, të guxoni. Sepse bota ka nevojë për mendje të hapura, për profesionistë të zotë dhe për qytetarë të përgjegjshëm dhe pikërisht këtë e përfaqësoni ju sot.

Në emër të të gjithë Universitetit ju uroj suksese të mëdha në rrugën që ju pret. Uroj që ëndrrat tuaja të marrin formë dhe të kthehen në realitet, që çdo hap i juaj të jetë i sigurt dhe i mbushur me vlera dhe që gjithmonë të mbani mend këtë ditë si një pikënisje të re në një të ardhme të ndritur.

Urime nga zemra për diplomimin tuaj,

Faleminderit dhe suksese në çdo hap të jetës!

Diçka tjetër që doja të ndaja me ju, duke qenë se në kemi bërë bashkëpunim me London School of Economics, ju ftoj vitin tjetër të gjithëve ju që gradoheni sot këtu, të keni mundësinë të aplikoni për një master ekzekutiv për këdo që dëshiron të studiojë në LSE në partnership me “Luarasin”.

Faleminderit të gjithëve!



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×