
Avokati Gylsen Zhllima, i ftuar në studion e News24, ka komentuar ligjin e ri për Barazinë Gjinore në Shqipëri, i cili së fundmi ka shkaktuar debate të gjera në opinionin publik. Sipas tij, ky ligj nuk është hartuar mbi nevojat reale të shoqërisë shqiptare, por si një hap formal drejt përmbushjes së kërkesave të Bashkimit Europian.
Zhllima u shpreh se Shqipëria nuk mund të synojë anëtarësimin në BE duke u fokusuar vetëm te të drejtat, pa marrë parasysh detyrimet që vijnë me to. “Ky ligj është sa për të kënaqur disa të idealit që duhet të jemi vetëm me të drejta, brenda së cilëve kjo nuk ekziston,” u shpreh ai, duke theksuar se miratimi i shpejtë i akteve të tilla shpesh bëhet për të krijuar përshtypje pozitive tek funksionarët europianë.
Sipas avokatit, ligje të tilla pritet të pasohen nga të tjera, të cilat “do godasin ata ndërsa Shqipëria do thotë se kaluam të parët ligjet për diskriminimin.” Ai shtoi se këto nisma ligjore synojnë më shumë të kënaqin komunitete dhe struktura të caktuara brenda BE-së dhe Këshillit Europian sesa të adresojnë realisht problematikat e brendshme.
Megjithatë, Zhllima e pranoi se ligji mund të shërbejë si një mjet i rëndësishëm për institucionet, duke u kthyer në një “manual” që ndihmon në verifikimin e respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut në vendin e punës, duke parandaluar çdo formë diskriminimi.
Ai paralajmëroi se sfida kryesore mbetet zbatimi i ligjit: “Mund të vendosim ligje sa të duam, por duhet të shohim nëse ne si shoqëri jemi të gatshëm për t’i zbatuar dhe afruar.”
Debati rreth ligjit për Barazinë Gjinore duket se do të vijojë, teksa aktorë të ndryshëm kërkojnë qartësi më të madhe mbi ndikimin që ai do të ketë në shoqërinë dhe institucionet shqiptare.
and then