
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Motivi”, duke zbardhur ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në Kamëz, ku një biznes u godit me lëndë plasëse.
Sipas autoriteteve u identifikuan katër autorë të dyshuar, ndërsa tre prej tyre u arrestuan menjëherë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda kundër Personit dhe Pronës në DVP Tiranë, së bashku me Policinë e Komisariatit Nr. 5 dhe nën drejtimin e Prokurorisë, arritën të dokumentojnë ngjarjen që tronditi bulevardin “Nënë Tereza” në Kamëz. Sipas policisë, autorët kanë vendosur lëndë eksplozive në fasadën e jashtme të një biznesi, duke shkaktuar dëme materiale.
Në kuadër të operacionit “Motivi” u arrestuan:
-Jeton Lami,, 31 vjeç
-Florin Domi, 30 vjeç
-Flogert Mezhika, 34 vjeç
Ndërsa E. L., 31 vjeç, banues gjithashtu në Kamëz, u shpall në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij.
Hetimet kanë zbuluar se ngjarja lidhet me një tentativë për gjobëvënie. Autorët dyshohet se kanë kërkuar 500 000 euro nga pronari i biznesit, shtetasi S. S., dhe pas refuzimit të tij kanë hedhur lëndën plasëse si presion për marrjen e shumës.
Policia bën të ditur se hetimet po vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë kriminale, ndërsa materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
and then