
Ilirjana Kuçana, anëtare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, e ftuar në studion e News24, ka komentuar protestën e thirrur nga PD sot në orën 18:00, duke u ndalur edhe tek zv/kryeministrja Belinda Balluku, e cila prej javësh është marrë e pandehur nga SPAK.
Kuçana tha se qytetarët nuk duhet të dalin në protestë për figura politike apo parti, por për problemet e tyre të përditshme.
“Shqiptarët të mos vijnë në protestë as për Berishën, as për PD, por për hallin e tyre personal. Secilit shqiptar sot Edi Rama i ka shkuar në shtëpi duke i cenuar sigurinë dhe ekonominë,” u shpreh ajo.
Duke komentuar deklaratat e kryeministrit Rama për “trenin europian”, Kuçana tha: “Në cilin vend europian kemi parë që njerëzit nuk mbyllin dot muajin? Ka dy zv.kryeministra të hetuar, një në arrati në Zvicër dhe tjetra e kërcënon në zyrën e tij, duke i thënë të marr me vete”.
Sipas saj, zv/kryeministrja Balluku është “personi më i fuqishëm në PS” dhe një figurë që, sipas Kuçanës, ka luajtur rol kyç në aferat që po hetohen.
“Balluku është fundi i Edi Ramës. Ajo ka pushtet të madh dhe ata që e kanë nënvlerësuar kanë bërë gabim. Unë ju siguroj që ajo do ta marrë me vete edhe Ramën, sepse aferat nuk janë bërë pa të. Vetëm në tunelin e Llogarasë janë grabitur 50 milionë euro,” deklaroi ajo.
Kuçana theksoi se situata ekonomike e qytetarëve është alarmante dhe se protesta është e domosdoshme.
“Në një vend ku njerëzit nuk mbyllin dot muajin, shqiptarët duhet të dalin për hallin e tyre personal, për të rrëzuar këtë qeveri. Kjo qeveri do të ikë, nuk i ka ditët e gjata. Balluku do ta marrë me vete Edi Ramën,” u shpreh ajo.
Ajo shtoi se nëse PD si alternativë qeverisëse nuk ia del, atëherë edhe ajo duhet të mbajë përgjegjësi: “Nëse nesër ne nuk e bëjmë mirë punën tonë, populli të dalë e të na dënojë me votë.”
and then