
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka kërkuar dënimin me 23 vite burg të shtetasit Ilir Beqaraj (alias B., alias Mançellari), i akuzuar për vrasjen e Gentian Bejtjes, ngjarje e ndodhur më 15 mars 2024 në fshatin Larush, Fushë-Krujë.
Sipas Prokurorisë, hetimet e procedimit penal nr.1944/2024 kanë zbuluar se persona të armatosur kanë kaluar rrethimin e jashtëm të banesës së Bejtjes, kanë hyrë në oborr dhe kanë qëlluar disa herë me armë zjarri, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Minuta më vonë, në fshatin Hasan, Fushë-Krujë, është gjetur duke u djegur një automjet tip Land Rover, i përdorur nga autorët për t’u larguar nga vendngjarja.
Nga provat e administruara, Prokuroria thotë se Ilir Beqaraj ka qenë në zona pranë banesës së Bejtjes përpara ngjarjes, gjë që vërtetohet nga të dhënat e GPS-it të automjetit që ai kishte marrë me qira.
Më tej, ekspertiza biologjike ka konkluduar se në automjetin Volkswagen Golf të zi, në pronësi të E.H., të arrestuar më 19 mars 2024 dhe i përdorur nga autorët pas djegies së Land Rover-it, është identifikuar profili gjenetik i Beqarajt, si dhe i personave F.P. dhe E.H., të dyshuar se kanë marrë pjesë në ekzekutim.
Pas hetimeve, Prokuroria ka veçuar procedimin penal ndaj Beqarajt më 28 shkurt 2025, duke e konsideruar atë bashkëpunëtor dhe ndihmës në vrasjen e Gentian Bejtjes.
Prokuroria kërkon shpalljen fajtor të Ilir Beqarajt për tre vepra penale:
-“Vrasje me paramendim” në bashkëpunim – neni 78/1 dhe 25 i Kodit Penal
Dënimi i kërkuar: 21 vite burgim.
-“Mbajtje pa leje e armëve dhe municionit”, në formën e mbajtjes në banesë – neni 278/4 i Kodit Penal
Dënimi i kërkuar: 2 vite burgim.
-“Falsifikimi apo përdorimi i dokumenteve të falsifikuara” – neni 189/1 i Kodit Penal
Dënimi i kërkuar: 1 vit burgim.
and then