“Zgjedhjet me modelin alla-Rama janë farsë”, Bardhi: Ja pse nuk nxorëm kandidatë në zgjedhjet e pjesshme

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i ftuar në emisionin “Log.” në News24, komentoi protestën e sotme para Kryeministrisë, si edhe vendimin e PD për të mos marrë pjesë me kandidatë në zgjedhjet e pjesshme të mbajtura në pesë bashki.

Bardhi u shpreh se opozita nuk mund të hyjë në një garë zgjedhore të cilën, sipas tij, e konsideron të paracaktuar. “Besoj se duhet të jemi të vërtetë me qytetarët. Sistemi i ngritur nga mazhoranca e bën të pamundur modelin dhe standardin demokratik të zgjedhjeve në Shqipëri,” deklaroi ai, duke akuzuar qeverinë se ka bashkuar strukturat e shtetit me interesat politike të Partisë Socialiste.

Ai theksoi se një garë e ndershme nuk ekziston kur “kundërshtarin politik e ke bashkë me policinë, ushtrinë, administratën dhe paratë e korrupsionit”. Sipas tij, në këto kushte, çdo proces zgjedhor është i pabarabartë dhe i manipuluar në favor të mazhorancës.

“Sa kohë zgjedhjet janë me këtë model alla-Rama, në Shqipëri nuk ka zgjedhje, por një farsë ku partitë përballen me shtetin,” tha Bardhi, duke nënvizuar se vendimi i PD nuk përbën tërheqje nga zgjedhjet, por refuzim të një gare që sipas tij nuk garanton asnjë standard minimal demokratik.

Ai shtoi se pesë bashkitë ku u zhvilluan zgjedhjet e pjesshme, të gjitha nën drejtimin e PS, historikisht kanë qenë të pamundura për t’u fituar nga opozita në zgjedhje të ndërmjetme. “Këto kanë qenë kryesisht bastione të majta si Vlora, Berati apo Tepelena, dhe thuajse asnjëherë nuk ka fituar një parti që nuk është në pushtet lokal,” u shpreh Bardhi.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×