1 vit nga vrasja e Martin Canit, Erisa Xhixho: Sistemi i sigurisë në shkolla ka dështuar, oficerët e policisë kanë frikë të raportojnë

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, në një reagim të saj në 1 vjetorin e vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, nxënës i shkollës “Fan Noli” në Tiranë, fajëson policinë e cila ka dështuar të ofrojë një sistem sigurie eficent.

Xhixho thotë se instrumentet matëse për sigurinë nuk përdoren në disa shkolla asnjëherë.

“Qeveria nuk ka asnjë mekanizëm real për të matur rrezikun, për të parandaluar incidentet, apo për të mbrojtur fëmijët.

Raportimi i incidenteve në Polici varet nga “vlerësimi” i oficerëve – KLSH thotë qartë se një pjesë e tyre nuk raportojnë që të mos prishin marrëdhëniet me drejtuesit.

Siguria kthehet në favor personal, jo detyrim institucional.

“Seksioni “Shkolla” në databazën e ASCAP nuk është përditësuar prej vitit 2022–2023, sepse oficerët e sigurisë janë nën presionin e drejtuesve të shkollave”, thotë deputetja e PL, Erisa Xhixho.

Mesazhi i plotë

Sot bëhet një vit nga tragjedia në shkollën “Fan Noli”, ku humbi jetën Martin Cani. Një ngjarje që tronditi vendin, por që qeveria u përpoq ta mbulojë me heshtje dhe justifikime, ashtu siç bën gjithmonë kur dështimet e saj prekin fëmijët e këtij vendi.

Por ajo që propaganda nuk fsheh dot janë faktet. Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka vënë vulën zyrtare dështimit të sistemit të sigurisë në shkolla:

Oficerët e sigurisë kanë frikë të raportojnë. Seksioni “Shkolla” në databazën e ASCAP nuk është përditësuar prej vitit 2022–2023, sepse oficerët e sigurisë janë nën presionin e drejtuesve të shkollave.

Në institucionet arsimore ka një frymë të përgjithshme mbytëse ku më shumë mbrohet imazhi sesa jeta e nxënësve.

Urdhri i Ministrisë për kryerjen e kontrolleve fizike dhe të ambienteve është një letër pa vlerë: në shumicën e shkollave nuk zbatohet, dhe qeveria bën sikur nuk e di.

Instrumentet matëse për sigurinë nuk përdoren – në disa shkolla asnjëherë. Pra, qeveria nuk ka asnjë mekanizëm real për të matur rrezikun, për të parandaluar incidentet, apo për të mbrojtur fëmijët.

Raportimi i incidenteve në Polici varet nga “vlerësimi” i oficerëve – KLSH thotë qartë se një pjesë e tyre nuk raportojnë që të mos prishin marrëdhëniet me drejtuesit. Siguria kthehet në favor personal, jo detyrim institucional.

Në disa shkolla, në një periudhë 3-vjeçare, ka vetëm një memo të brendshme mes oficerëve dhe drejtuesve. Pra, një sistem që pret të garantojë sigurinë e fëmijëve, nuk ka as komunikim minimal brenda për brenda.

Këto nuk janë thjesht mangësi. Këto janë prova të një sistemi të braktisur, të një qeverie që nuk investon në sigurinë e fëmijëve, nuk kontrollon, nuk merr masa dhe nuk mban përgjegjësi.

Një vit më parë humbëm Martin Canin, dhe sot – pas gjithë këtyre gjetjeve – është e qartë që qeveria nuk reflektuar dhe nuk ka përmirësuar asgjë.

Pyetjet që ngrihen sot janë:

Pse oficerët e sigurisë kanë frikë të raportojnë?

Pse Ministria e Arsimit lejon që kontrollet fizike të mos kryhen?

Pse databaza kombëtare e shkollave nuk është përditësuar për 2 vite?

Pse fëmijët shqiptarë nuk kanë as sot një sistem funksional sigurie?

Qeveria ka dëmtuar arsimin, ka braktisur shëndetësinë, dhe tashmë po lë të pambrojtur edhe fëmijët e shkollave.

Martini nuk duhet të jetë kurrsesi viktima e harruar e një sistemi të kalbur. Ai duhet të jetë thirrja e fortë për ndryshim, për përgjegjësi dhe për vëmendje ndaj sigurisë së çdo fëmije.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×