Forumi i Zgjerimit në Bruksel, Rama: Procesi është ringjallur! Shqipëria është gati kur të vijë momenti

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë dhe ka mbajtur një fjalim në Samitin e Zgjerimit të Bashkimit Europian, platformën e përhershme të dialogut për të ardhmen e zgjerimit dhe integrimit të plotë të vendeve kandidate.

Në fjalën e tij, Rama vlerësoi ritmin e ri që ka marrë procesi i zgjerimit gjatë muajve të fundit dhe rolin vendimtar të komisioneres së Zgjerimit, Marta Kos.

“Këto muaj, komisionerja Marta Kos i ka mbushur me lëvizje dhe me rezultate të prekshme. Deri vonë besoja se Brukseli ishte varrosur përfundimisht dhe nuk kishte më shans të ringjallej,” u shpreh Rama, duke shtuar se tani procesi ka gjeneruar “debat kaq konstruktiv dhe oksigjen të pastër në politikën europiane sa nuk mbaj mend kur ka ndodhur herën e fundit”.

Kryeministri shqiptar e përshkroi rrugën europiane të vendit të tij si të gjatë dhe shpesh të padrejtë.

“Për Shqipërinë ky rrugëtim nuk ka qenë një rrugë e drejtë dhe e mbushur me duartrokitje. Ka qenë një udhë e gjatë, shpesh e stigmatizuar dhe me stereotipe të amplifikuara nga mediat perëndimore,” tha ai.

Rama pranoi se Bashkimi Europian nuk i ka mbajtur gjithmonë premtimet ndaj Shqipërisë, por sipas tij kjo ka rezultuar një “bekim i çuditshëm”:

“BE nuk i mbajti premtimet e saj, por për ne kjo u shndërrua në një lloj bekimi. Vazhduam reformat sepse i bënim për vendin tonë dhe jo për Brukselin. Sot BE mbetet burimi ynë i hapur i njohurive dhe ne po punojmë çdo ditë që të jemi plotësisht gati kur të vijë momenti i duhur për anëtarësim,” përfundoi kryeministri Rama.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×